FLASH :

Si u shthur “Nisma Thurje”

Nga Maksi Çami


Kur Nisma Thurje doli për herë të parë në skenën publike, ajo erdhi si një shpresë për t’i dhënë fund një cikli të gjatë zhgënjimesh politike në Shqipëri. E formuar mbi bazën e një lëvizjeje qytetare, me një gjuhë ndryshe, energji të re dhe me premtimin për t’i dhënë zë brezit të ri të të zhgënjyerve, Nisma përfaqësonte një përpjekje për ta artikuluar revoltën në formë politike. Por, siç shpesh ndodh në tranzicionet e zgjatura dhe në demokracitë e brishta, idealizmi përplaset me realitetin, dhe populizmi, kur nuk është i mirëstrukturuar ideologjikisht, tretet në ajër si avull uji. Kjo është historia e një partie që nisi dhe u bitis si një forcë populiste e majtë, por që nuk arriti të mbijetojë në një skenë të ngulfatur nga dy gjigandët e mëdhenj të populizmit të vjetër: PS dhe PD.


Nisma Thurje nisi rrugëtimin e saj në rrugë jo në sallat e Kuvendit, as në zyrat e partive, por në sheshe dhe peticione. Themeluesit e saj u njohën në sytë e publikut për përpjekjet për të reformuar Kodin Zgjedhor, për të mbrojtur interesin publik përmes formave të protestës dhe pjesëmarrjes. Kjo fazë para-politike e Nismës ishte ndoshta më e suksesshmja, sepse përfaqësonte një reflektim real të kërkesave të një pjese të opinionit qytetar që kërkonte ndryshim dhe transparencë. Mirëpo, ajo që u paraqit si një lëvizje që “nuk do të bëhej kurrë parti” kaloi pikërisht në atë që premtoi se nuk do të bëhej.

Në vitin 2020, me përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, Nisma hyri në garën politike si subjekt elektoral, duke i dhënë fund iluzionit të vetmjaftueshmërisë si “shoqëri civile”.
Rezultati i Nismës në zgjedhjet e vitit 2021 ishte poshtë çdo parashikimi optimist. Me pak mbi 10 mijë vota në rang kombëtar dhe pa asnjë mandat të fituar, Nisma u përplas me murin e ftohtë të realpolitikës shqiptare. Megjithëse performanca e saj u analizua nga vetë drejtuesit si “e mirë për një fillim”, e vërteta është se në politikën shqiptare nuk ka vend për një fillim që nuk sjell mandate.


Populizmi i saj i majtë me thekse mbi barazinë, drejtësinë sociale, transparencën, luftën ndaj oligarkëve dhe ndryshimin nga poshtë nuk ishte ndryshe nga ajo që PS dhe në një masë më të vogël edhe PD kanë predikuar për vite me radhë. Shqiptarët, të mësuar me retorika të mëdha dhe rezultate të pakta, nuk panë tek Nisma një forcë reale që mund të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. Kapja pas thirrjeve populiste anti-oligark dhe përmendja e emrave të njohur të biznesit të madh nuk ngjiti në terrenin elektoral shqiptar dhe ndoshta madje u kthye në bumerang për Nismën.

Në një shoqëri ku një pjesë e mirë e qytetarëve ëndërrojnë të bëhen vetë pasanikë, sulmet ndaj biznesit të madh nuk prodhojnë gjithmonë simpati. Ndryshe nga çfarë ndodhi me Arlind Qorin, i cili me qëndrimet e tij të drejtpërdrejta si armik i shpallur i kapitalizmit dhe biznesit privat, ka arritur të mbledhë rreth vetes atë segment të vogël por të qëndrueshëm të elektoratit që është thellësisht anti-biznes.

Nisma, duke u përpjekur të luajë në të njëjtën fushë, por pa një identitet ideologjik të qartë dhe të besueshëm, u duk më shumë si një zë i ngatërruar që as rrëmbeu të zhgënjyerit e sistemit, as nuk bindi ata që kërkojnë ndryshim me mjete reale.


Midis viteve 2021 dhe 2025, Nisma humbi terren në mënyrë të qëndrueshme por të padukshme. Ndërsa fillimisht ishte një zë i fortë në rrjete sociale dhe media për çështje të ditës, nga reforma zgjedhore deri te mbrojtja e hapësirave publike, zëri i saj u venit. Një pjesë e figurave të saj u larguan, një pjesë tjetër u zbehën në prani. Partia nuk arriti të ndërtojë organizatë, të krijojë baza lokale, të strukturohet ideologjikisht ose të lidhë aleanca domethënëse. Populizmi është magnet për emocionin, por jo për besnikërinë elektorale.


Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 ishin një autopsi më shumë se një sfidë për Nismën. Votat u përgjysmuan, strukturat u shpërbënë, figura qendrore heshtën ose u zhdukën. Nisma nuk ishte më as shpresë, as zhgënjim thjesht mungonte. Në një fushë politike të dominuar nga PS-ja në pushtet dhe një PD në krizë por ende gjallë, Nisma u pa si një përpjekje e konsumuar, pa fuqi mobilizuese dhe pa idetë e nevojshme për të qëndruar në mendjen e votuesit.


Nisma Thurje dëshmon se populizmi si formë politike nuk është mjaftueshëm vetëmbajtës në një sistem të mbizotëruar nga populistët e mëdhenj. Shqiptarëve, mesa duket, u mjaftojnë dy parti të mëdha populiste: PS-ja me socializmin e saj klientelist dhe PD-ja me nacionalizmin e saj nostalgjik. Midis tyre, çdo përpjekje për të krijuar një populizëm “të ndershëm” nga e majta është e destinuar të tretet, për sa kohë nuk ka një bazë ideologjike të thellë, një sinqeritet të provuar dhe një strategji politike afatgjatë.


Partive të vogla u mbetet të jenë ideologjike dhe sinqerisht ideologjike. Vetëm përmes një boshti të qartë filozofik qoftë liberal, ekologjik, konservator, socialdemokrat, apo edhe radikal ato mund të synojnë segmentet e elektoratit që kërkojnë më shumë sesa premtime dhe shfaqje. Populizmi pa substancë, edhe kur është simpatik, nuk mbijeton dot në një treg të ngopur me populizëm të rëndë dhe të institucionalizuar.

Rasti i Nismës është një mësim i hidhur për çdo lëvizje që mendon se ndryshimi vjen vetëm nga emri i ri apo nga retorika anti-sistem. Në politikën shqiptare, sistemi i tret ata që s’e njohin nga brenda dhe s’kanë me vete më shumë se fjalë.