Një hetim i publikuar nga njësia investigative ruse Systema, pjesë e Radios Evropa e Lirë, zbulon se fondacionet e lidhura me ish-presidentin rus Dmitry Medvedev kanë grumbulluar mbi 850 milionë dollarë që prej fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022. Përfitimet kolosale financiare janë shoqëruar me një transformim të dukshëm të figurës publike të Medvedevit, nga një reformator i butë në një zë ekstremist të propagandës luftarake të Kremlinit.
Nga viti 2015 deri në prag të luftës, fondacionet e lidhura me Medvedevin kishin përfituar rreth 424 milionë dollarë. Por pas shkurtit 2022, kjo shifër u trefishua, duke kaluar në mbi 1.3 miliardë dollarë deri në fund të vitit 2024. Vetëm vitin e kaluar, në llogaritë e tyre përfunduan mbi 850 milionë dollarë. Ndërkohë që vetëm dy nga këto fondacione kanë faqe zyrtare, burimet e financimit mbeten të paidentifikuara, ndërsa destinacionet e shpenzimeve shpesh janë të turbullta, por të lidhura ngushtësisht me interesat personale të Medvedevit – përfshirë pasuri të paluajtshme, prodhim verërash dhe pajisje për ushtrinë ruse.
Nga reformator në “luftëtar të shenjtë”
I emëruar president në vitin 2008 dhe i ndjekur nga kthimi i Putinit në 2012, Medvedev për një kohë shihej si një figurë më liberale në skenën politike ruse. Por reputacioni i tij u përmbys shpejt pas shpërthimit të luftës në Ukrainë. I larguar nga posti i kryeministrit në vitin 2020, ai u rikthye në skenën publike si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë dhe kryetar i partisë Rusia e Bashkuar, ndërsa në rrjete sociale nisi të lëshojë deklarata të dhunshme, kërcënime bërthamore dhe sharje ndaj Perëndimit dhe Kievit.
Në vitin 2023, ai propozoi publikisht bombardimin e Bundestagut në Berlin, ndërsa së fundmi deklaroi se qëllimi i Rusisë në negociatat për paqe me Ukrainën nuk është paqja, por “shkatërrimi i qeverisë në Kiev”. Popullariteti i tij është rritur ndjeshëm: nga vetëm 23% në fund të vitit 2021, në 45.7% në qershor 2025, sipas sondazheve zyrtare ruse.
Fondacionet dhe pasuritë e padeklaruara
Në qendër të rrjetit të financimit janë 15 fondacione, përfshirë “Nasha Pravda”, themeluar me nismën e vetë Medvedevit dhe të lidhur ngushtë me partinë Rusia e Bashkuar. Kjo organizatë raporton se ka shpenzuar mbi 2 miliardë rubla për “operacionin special ushtarak”, me furnizime për forcat ruse si dronë, pajisje nate e gjeneratorë. Djali i Medvedevit, Ilya, tashmë 29 vjeç, ka rol drejtues në këto operacione dhe është prezantuar si “drejtor projekti”.
Përfitimet nuk ndalen tek lufta. Fondacionet janë përdorur për të zhvilluar projekte luksoze të pasurive të paluajtshme, përfshirë vila, vreshta dhe resort-e në Rubliovka, Soçi, dhe Anapë. Një nga kompanitë e përfshira, Skalisty Bereg, që prodhon verë në brigjet e Detit të Zi, kontrollohet nga njerëz të afërt me Medvedevin, ndërsa Ilya është pjesë e bordit të saj drejtues. Kompani të tjera të lidhura kanë blerë toka dhe prona në afërsi të Shën Petersburgut dhe vendlindjes së Medvedevit, ku janë rikonstruktuar vila me vlerë të lartë simbolike dhe financiare.
Nga vila në rubla: rrjeti i pasurimit përmes luftës
Hetimet e Systema tregojnë se një model i sofistikuar përqendrohet në përdorimin e fondacioneve për të kanalizuar fondet publike ose donacione të padeklaruara drejt bizneseve që lidhen me familjen Medvedev. Më shumë se një e treta e pasurisë së fituar gjatë luftës duket se ka përfunduar në projekte luksoze me përfitime të drejtpërdrejta për ish-presidentin.
Raportet e mëparshme të Fondacionit Anti-Korrupsion të ndjerit Aleksei Navalny kishin ekspozuar këtë rrjet pasurish që përfshinte vila, jahte dhe vreshta. Edhe pse FBK është shpallur organizatë e jashtëligjshme, hetimet e saj mbeten të vlefshme – të konfirmuara tashmë nga të dhënat e reja të Systema.
Sanksionet ndërkombëtare dhe heshtja zyrtare
Si Dmitry, ashtu edhe djali i tij Ilya Medvedev, janë sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania për rolin e tyre në mbështetjen e luftës. Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka dhënë ndonjë koment për hetimet e publikuara. Fondacionet e përfshira refuzojnë të japin llogari publike për donatorët dhe përdorimin e fondeve, ndërsa përpjekjet për kontakt nga gazetarët janë injoruar ose ndërprerë në mënyrë të beftë.
Një regjim që pasurohet me luftë
Rasti i Medvedevit është ilustrimi më i qartë i mënyrës se si lufta në Ukrainë ka krijuar një klasë të re përfituesish në hierarkinë ruse. Në vend që të penalizohet për korrupsion apo për nxitje të dhunës, ai është shpërblyer me ndikim politik dhe pasuri marramendëse. Dhe për ironi të hidhur, ai e ka mbuluar këtë pasurim pikërisht me flamurin e nacionalizmit dhe “mbrojtjes së atdheut”.