FLASH :

Si Trump u bë Mbret i Kriptomonedhës dhe dyfishoi pasurinë në vetëm një vit

Vetëm një vit më parë, Donald Trump gjendej në pozita të rënda si në politikë ashtu edhe në financa. Ai përballej me një vendim gjyqësor prej 454 milionë dollarësh për mashtrim në shtetin e Nju Jorkut dhe kishte vetëm 413 milionë dollarë cash. Por sot, pas një seri lëvizjesh të guximshme – dhe për shumë, absurde – Trump e ka dyfishuar pasurinë e tij, duke kaluar nga 2.3 miliardë në 5.1 miliardë dollarë dhe duke u ngjitur me 738 vende në listën e miliarderëve të “Forbes”.

Në fillim ishte vendimi i apelimit, që ia uli shumën e garancisë nga 454 në 175 milionë dollarë, duke i shpëtuar pasuritë e tij nga sekuestrimi. Por arma e vërtetë financiare e Trump ishte Truth Social, rrjeti i tij social, që megjithëse me humbje dhe të ardhura minimale, u bë publik në bursë dhe u kthye në një mjet të papritur pasurimi falë investimeve entuziaste nga mbështetësit e tij. Vlera e aksioneve ra 72% nga kulmi, por Trump mbajti një pjesë të konsiderueshme, që më 7 mars 2025 vlente 2.6 miliardë dollarë.

Megjithatë, këto para nuk ishin të lëvizshme – ishin në letra me vlerë. Prandaj Trump kaloi në fazën tjetër: shitje produktesh me markën e tij, që nga Bibla deri te këpucët sportive. Kjo fushatë “mallrash Trump” kulmoi me hyrjen në një territor të ri e të çuditshëm – kriptomonedhat. Në tetor, ai nisi një projekt të quajtur World Liberty Financial, që u ofronte fillestarëve token-e të pashitshme me premtime të mjegullta për një “revolucion financiar”.

Në fillim, projekti kaloi pa shumë bujë. Por pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale, gjithçka ndryshoi. Një blerje prej 75 milionë dollarësh nga Justin Sun, një figurë e njohur në kriptobotë, ndezi panikun e blerjeve dhe Trump grumbulloi rreth 390 milionë dollarë, ose 245 milionë pas taksave.

Pastaj erdhi edhe më e pabesueshmja: në prag të inaugurimit të tij si president, ai lançoi token-in $TRUMP, i cili nuk pretendonte të ishte investim, por më shumë një lojë me fat për ndjekësit. Përgjigja? Rreth 350 milionë dollarë të gjeneruara në tarifa transaksionesh dhe kripto të lidhura me dollarin për entitete pranë Trumpit. Përfitimi personal? Sipas vlerësimeve, të paktën 110 milionë dollarë neto.

Edhe pse borxhi i tij prej rreth 500 milionë dollarësh për vendimin gjyqësor vazhdon të qëndrojë, tani me interes që rritet, Trump ka një gjendje likuiditeti prej afro 800 milionë dollarësh dhe nuk ka më pse të shqetësohet për ndërtesa si 40 Wall Street – që tashmë vlerësohet më pak se borxhi që mban mbi të.

Donald Trump, njëherazi ish-president dhe personazh i realitetit politik dhe mediatik, është tashmë edhe një figurë qendrore në botën e kriptomonedhave. Në vend që të zhytej në borxhe, ai u hodh në ujërat e thella të spekulimit financiar dhe doli në breg si një “crypto king”. Me një rikthim të jashtëzakonshëm që vetëm ai mund ta kthente në mit.