Ditët e nxehta të verës mund të jenë të këndshme kur ndodhemi buzë detit apo në ambiente të ftohta me ajër të kondicionuar. Por kur temperaturat ekstreme na zënë në punë, rrugë apo në shtëpi pa pajisje freskuese, nevojiten zgjidhje të shpejta dhe praktike për të përballuar vapën. Ja katër mënyra të thjeshta që funksionojnë vërtet:
1. Lagni kyçet e duarve me ujë të ftohtë
Kyçet janë pika ku kalojnë enë gjaku pranë sipërfaqes së lëkurës, prandaj lagia e tyre me ujë të ftohtë ndihmon në uljen e temperaturës trupore. Përdorni ujë të ftohtë ose kompresa në kyçe, qafë apo pas gjunjëve për një efekt qetësues, sidomos para gjumit.
2. Përdorni vajin e mentes për freski
Vaji esencial i mentes përmban mentol, një përbërës që aktivizon ndjesinë e të ftohtit në lëkurë. Përzieni një pikë vaj menteje me 30 ml vaj bazë (si vaji i bajames) dhe aplikojeni në qafë apo krahë. Nuk ul realisht temperaturën, por krijon ndjesinë e freskisë.
3. Ushqime me përmbajtje të lartë uji
Frutat dhe perimet si shalqiri, pjepri, kastraveci dhe luleshtrydhet janë ideale për ditët e nxehta. Jo vetëm që hidratojnë, por janë të lehta për stomakun dhe ndihmojnë trupin të ruajë ekuilibrin e lëngjeve.
4. Përdorni ventilatorin me zgjuarsi
Vendoseni ventilatorin përballë një dritareje të hapur për të nxjerrë ajrin e nxehtë jashtë. Për efekt shtesë, vendosni një tas me kuba akulli përpara ventilatorit – do të ndjeni një valë të freskët ajri në pak sekonda.
Këto këshilla të thjeshta mund të bëjnë diferencën gjatë ditëve përvëluese, duke ju ndihmuar të ndiheni më mirë pa pasur nevojë për teknologji të avancuar.






