Një video e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale, duke u paraqitur në mënyrë të rreme si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump. Në pamjet virale, Maduro dëgjohet duke thënë: “Vini këtu, ju pres në Miraflores. Mos u vononi, frikacakë.”
Hetimet e verifikimit të fakteve kanë zbuluar se ky material nuk është aktual dhe nuk i drejtohet Trump-it. Deklarata origjinale i përket datës 30 korrik 2024 dhe ishte drejtuar kundër politikanit opozitar Edmundo González Urrutia, në kontekstin e protestave paszgjedhore në Venezuelë. Në videon që qarkullon sot, pjesa ku Maduro përmend qartë emrin e González Urrutias është prerë, duke krijuar përshtypjen e rreme se mesazhi ishte për Trump-in.
Kjo nuk është hera e parë që ky klip përdoret për të shpërndarë informacion të pavërtetë – e njëjta gjë ka ndodhur edhe disa muaj më parë dhe është hedhur poshtë nga platformat ndërkombëtare të verifikimit të fakteve. Publikimi i tij i fundit përkon me njoftimin e administratës Trump për dyfishimin e shpërblimit për kapjen e Maduros, nga 25 në 50 milionë dollarë.
Ajo që e bën këtë rast edhe më problematik është fakti se videoja virale ka bërë që edhe disa media shqiptare të bien pre e këtij lajmi të rremë, duke e publikuar pa verifikuar burimin origjinal. Ky është një shembull i qartë i rrezikut që sjell mungesa e kontrollit të informacionit para publikimit.







