Në kulmin e një krize të thellë besueshmërie politike, ndërsa shqiptarët përballen me inflacion të lartë, mungesë shprese dhe një valë të re emigrimi, Edi Rama po ngre me blloqe betoni një sistem të ri lojaliteti: një kastë ndërtuesish të lidhur me pushtetin që, përmes lejeve selektive dhe projekteve gjigande, po kalojnë një nga një nën ombrellën e qeverisë së tij.
Në mbledhjen më të fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU), Rama ka miratuar një rekord prej 73 lejesh ndërtimi, jo për zhvillim të qëndrueshëm apo të drejtë urban, por për të shpërblyer miqtë politikë dhe për të afruar heshturazi ish-kundërshtarë të dobësuar që dikur konsideroheshin “rrezik” për pushtetin e tij.
Nga opozita te sheshi i ndërtimit
Genc Deromemaj, ish-kreu i PD-së në Vlorë dhe aktualisht drejtor i Kadastrës, është një nga përfituesit më të freskët të kësaj skeme. Kompania e tij N94 ka marrë leje për ndërtimin e një hoteli 8-katësh në Sarandë dhe një objekti banimi në Vlorë. Rruga nga opozita në privilegjin institucional duket më shumë si pakt besnikërie, sesa rezultat i meritës apo zhvillimit strategjik.
Dine Fratari, ndërtuesi që dikur e akuzonte publikisht Ramën për “20% rryshfet”, është rikthyer fuqishëm në skenë. Por këtë herë jo si kritik, por si përfitues i një lejeje për kompleksin luksoz “Riverway City” në rrugën “Pjetër Bogdani” në Tiranë. Ndërkohë, vajza e tij ka kandiduar për deputete me PD-në – një tjetër emër që rrëshqet pa zhurmë nga opozita drejt përfitimit të heshtur në krah të pushtetit.
Leje ekskluzive për familjen Dako, klientelizmi klasik i PS-së
Në mesin e projekteve të miratuara nga KKTU bie në sy edhe një kullë 49-katëshe në rrugën “Reshit Petrela”, miratuar për kompaninë E.S.E.C., në pronësi të Edmond Dako, vëllait të ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako , i shpallur “non grata” nga SHBA për korrupsion dhe lidhje me krimin. Ky rast nuk lë më vend për interpretim: lejet për njerëzit e afërt me pushtetin janë normë, jo përjashtim.
Opozitarët e djeshëm, përfituesit e sotëm
Rasti i Deromemajt dhe Fratarit ilustron qartë një strategji të qëndrueshme politike të Edi Ramës, nuk ka nevojë të mundë kundërshtarët i thith përmes betonit dhe privilegjeve. Kjo është më shumë se klientelizëm, është transformim i opozitës në aparat të heshtur të mbështetjes së qeverisë.
Planifikimi urban si instrument kontrolli politik
Në Shqipërinë e sotme, lejet e ndërtimit nuk janë më vegla për zhvillim ekonomik, por monedhë për të blerë heshtje, bindje dhe aleancë politike. Në mungesë të transparencës dhe konkurrencës së ndershme, ndërtimi është kthyer në mjet për pastrim influence dhe mbajtje pushteti.
Ndërkohë që Tirana mbytet nga ndotja, mungesa e hapësirave publike dhe stresi urban, qeveria nuk ndërton për qytetarët, por për një rrjet të privilegjuar biznesmenësh dhe ish-opozitarësh që po kthehen në garantë të qetësisë politike të Ramës.
Kullat nuk janë më thjesht ndërtime , janë simbol i pazareve politike, i lidhjeve të fshehta dhe i një sistemi që ndërton pushtetin mbi beton, jo mbi besimin qytetar.