Për opozitën shqiptare, iluzionet e rikthimit në lojën politike me ndihmën e SHBA-ve po shkërmoqen një e nga një. Me idenë se mund të gjenin një derë të hapur në administratën e re amerikane, opozita ka investuar në figura që dikur kanë pasur lidhje me fushatat e Trump-it, duke shpresuar se LaCivita një emër privat do të ndikonte në vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) për statusin “non grata” të Sali Berishës. Mirëpo, ky investim u shfaq si një shashkë që shpërtheu bosh, pa asnjë ndikim real sepse LaCivita është vetëm një individ privat që nuk ka rrol në shtetin Amerikan, por ka një biznes për të vjelur të ardhura dhe nuk i inetereson shumë fakti i Sali Berishës në fund të ditës.
Arsyeja e rënies së kësaj shprese të rreme është e qartë: Departamenti Amerikan i Shtetit nuk ka ndryshuar kursin e tij dhe vazhdon të mbështesë SPAK-un, duke e vlerësuar për punën që ka bërë kundër korrupsionit. Raporti i fundit i DASH-it e nënkupton qartë që Sali Berisha vazhdon të shihet si një figurë problematike, duke hedhur poshtë çdo pretendim se heqja e “non grata-s” është një opsion në tavolinë.
Ndërkohë, një tjetër goditje për opozitën erdhi me rikthimin e emrit të Yuri Kim në strukturat e DASH-it. Shumë nga eksponentët opozitarë menduan se largimi i saj do të ishte një sinjal që Uashingtoni po ndryshonte qasje, por e vërteta rezultoi ndryshe. Yuri Kim jo vetëm që nuk u largua nga administrata amerikane, por u ngjit edhe më lart, duke u emëruar si Këshilltare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjshmëri në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ky zhvillim e rrëzon përfundimisht teorinë e opozitës se Yuri Kim ishte “spastruar” për të hapur rrugën e rehabilitimit të Berishës.
Nga njëra anë, opozita vazhdon të endet mes shpresave boshe, duke pritur me sy nga qielli që një administratë e re amerikane apo ndonjë figurë e papritur të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Nga ana tjetër, qeveria Rama vazhdon të konsolidojë pushtetin, duke përforcuar ndikimin e saj në institucione dhe duke siguruar mbështetje të fortë në arenën ndërkombëtare. Me një opozitë të përçarë, pa vizion dhe e mbështetur mbi spekulime boshe, të gjitha gjasat janë që Edi Rama të synojë edhe mandatin e katërt, ndërsa Berisha vazhdon ta çojë PD-në drejt “Tufinës”, siç ka thënë edhe Dash Sula.