FLASH :

Si një 17-vjeçar kriminel i vogël u shndërrua në vrasës brutal vetëm katër muaj pasi hyri në burgun më “woke” të Britanisë

Një adoleshent i dënuar për armëmbajtje pa leje u bë një vrasës i pamëshirshëm vetëm katër muaj pasi hyri në HMP Fosse Way, një burg i ri në Leicestershire që është përqeshur si më “luksoz” dhe “liberal” në Britani.

Ashirie Smith, tashmë 19 vjeç, vrau me egërsi të dënuarin për krime seksuale Mahir Abdulrahman, 31 vjeç, më 20 gusht 2023, duke e shkelmuar në kokë dhe qafë brenda qelisë së tij. Viktima duhej të lirohej një ditë më pas.

Smith kishte marrë një dënim prej tre vitesh për posedim arme në prill, kur ishte vetëm 17 vjeç, por tani do të vuajë burgim të përjetshëm me minimum 17 vjet e gjysmë pas hekurave.

Burgjet e stilit “skandinav”, siç është përshkruar HMP Fosse Way, janë kritikuar për qasjen tepër të butë: dritare pa hekur, klasa muzike me bashkëpunim nga kompani diskografike, kompjuterë personalë në çdo qeli që shërbejnë edhe si televizorë, bibliotekë moderne dhe një fushë sportive me bar sintetik.

Pamjet nga CCTV tregojnë Smith duke dalë nga qelia me një buzëqeshje të ftohtë, menjëherë përpara se të kryente sulmin vdekjeprurës. Ai dhe një tjetër i burgosur, Thierry Robinson, 21 vjeç, e kishin ngacmuar Abdulrahman-in një ditë më parë, gjë që solli një reagim nga viktima, i cili u përpoq t’i qëllonte me një ibrik të nxehtë me ujë.

Mëngjesin pas incidentit, një oficere burgu i hapi qelinë Smith-it si pjesë e rutinës, pa e ditur se do t’i jepte atij mundësinë për të kryer sulmin fatal.

Vetëm 37 sekonda më vonë, Smith dhe Robinson dolën të qetë nga qelia e viktimës, duke e lënë atë të vdiste. Smith u kthye sërish në qeli pas sulmit, ndoshta për të parë nëse ishte i vdekur.

Ambulanca mbërriti në orën 07:45 dhe gjeti Abdulrahman-in në arrest kardiak; ai vdiq një orë më vonë. Autopsia konfirmoi se kishte vdekur nga një gjakderdhje në tru.

Robinson u shpall i pafajshëm për vrasje, por u dënua me 11 vjet për vrasje nga pakujdesia. Një i tretë, Shaan Karim, 38 vjeç, u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Smith ishte arrestuar fillimisht në nëntor 2023 pasi policia kishte marrë informacion se mbante armë zjarri në shtëpi. Gjatë një operacioni të armatosur në orët e para të mëngjesit, policia gjeti një pistoletë Walther të ngarkuar nën dyshek, si dhe video në telefon ku ai filmohej me armë dhe maskë, duke vallëzuar dhe kërcënuar përmes kamerës.

Pas pranimit të fajësisë për posedim arme dhe municionesh, ai u dënua me tre vjet burg nga Gjykata e Birminghamit.

Robinson, bashkëpunëtori i tij në vrasje, ishte i njohur në rrjet për videot e tij si reper “drill” me pseudonimin “Trills” dhe më parë ishte shpallur i zhdukur nga policia kur ishte vetëm 15 vjeç në 2019.

Drejtori i burgut, Wyn Jones nga kompania private Serco që e menaxhon HMP Fosse Way, tha se vrasja ishte një akt i tmerrshëm dhe se “çdo vdekje në burg është një tragjedi”.

Hetuesi Mark Parish deklaroi: “Abdulrahman pësoi një sulm brutal dhe të zgjatur që i mori jetën. Falë punës së palodhur të ekipit hetimor, Smith dhe Robinson tani do të përballen me drejtësinë.”

Ky rast ka nxitur sërish debat rreth sigurisë në burgjet e reja britanike dhe qasjes “të butë” që, sipas kritikëve, nuk parandalon krimin, por i jep mundësi të rinjve të rrezikshëm të bëhen edhe më të dhunshëm.