Duket se mërzitja për humbjen e mandatit nga Zegjine Çaushi ka zgjatur vetëm disa orë. Me një lëvizje të papritur, por të lexueshme politikisht, mandati i deputetes në Fier i është rikthyer Zegjines me atë që nga burime brenda PS-së përshkruhet si një “urdhër peshku” – një sinjal informal, por vendimtar, nga kupola e partisë.
Kandidatja socialiste Maldrita Bardho, e cila përmes rinumërimit të votave arriti të rrëmbente mandatin me vetëm 10 vota më shumë se Çaushi, ka deklaruar publikisht se heq dorë nga posti i deputetes. Në një reagim në rrjetet sociale, ajo shkruan se do t’ia lërë vendin në Kuvend “mikes së saj, Zegjine Çaushi”, duke e cilësuar atë si më të denjë për të përfaqësuar qytetarët.
Ky zhvillim ndodh pavarësisht faktit se gjatë rinumërimit, Çaushit iu hoqën 48 vota dhe Bardhos iu shtuan 26 – çka i dha kësaj të fundit një epërsi të qartë dhe mandatin përkatës. Megjithatë, dorëheqja e Bardhos dhe akti i lënies së vendit “me kënaqësi” për Zegjinen, e kthen sërish këtë të fundit në parlament, duke anashkaluar verdiktin e kutive të votimit.
Zegjine Çaushi, një emër i panjohur për publikun deri vonë, u vu në qendër të vëmendjes pas denoncimeve të Gazment Bardhit për përfitim grantesh nga buxheti i shtetit përmes familjes së saj. Megjithatë, ajo u bë pjesë aktive e fushatës së PS në Fier, shpesh në rolin e ironisë politike, sidomos kundër vetë Bardhit, me mbështetjen dhe promovimin e ministres Balluku.
Dorëheqja e Bardhos ngre dyshime të forta për ndërhyrje politike dhe presion të brendshëm, megjithëse vetë ajo e cilëson vendimin si të marrë “që përpara rinumërimit”. Kjo e bën të vështirë për opinionin publik të pranojë se akti është i lirë dhe pa ndikim.
Nëse dikur “veshi i shkulur” politik shërbente si shenjë paralajmëruese, këtë herë “urdhri i peshkut” duket se ka rikthyer me shpejtësi në Kuvend një emër të mbrojtur nga lart, edhe pas një procesi rinumërimi që tregoi të kundërtën.
Rasti tregon edhe njëherë se partia vendos më shumë se vota, dhe që, në fund, lista mund të jetë e hapur vetëm për sy e faqe.