Deputeti socialist Erion Braçe, i cili kohët e fundit është treguar tepër luftarak duke sulmuar bizneset private në terren, shpesh në rolin e një “spiuni” që filmon dhe publikon pamje për t’i yshtur institucionet të ndërhyjnë, dje ka vendosur të luajë sërish kartën morale të “deputetit të ndershëm që mendon për publikun”.
Në një postim në Instagram, dje, Braçe deklaronte se ndodhej “tek Shkolla e Baletit” në Tiranë, për t’i dalë në mbrojtje një tregtari, qe kësaj here i paskan rënë kot në qafë, për të cilin tha se kishte liruar trotuarin, kishte hequr vetë një strukturë metalike pa i trokitur njeri, dhe kishte vendosur vetëm një çadër si gjithë Tirana pas çmontimit të strukturave të hekurit. “Barazi është kur të tjerët e mbajnë dhe ai jo? Trotuari është i lirë katër metra!”, shkroi Braçe, duke i bërë thirrje autoriteteve të mos e “cënojnë seriozitetin e një iniciative të qëndrueshme në mbrojtje të publikes”.
Në fakt, ndërsa publikisht po mbronte një biznesmen “të pafajshëm” në Tiranë, privatisht ai ndodhej i shtrirë në një shezlong, duke u shijuar diellin rrezëllitës të bregdetit. Dhe për ta bërë historinë edhe më pikante, hoteli ku Braçe po pushonte mendohet të jetë pronë e Qifes Famekeq – ish-deputetit Aqif Rakipi, dikur koleg i tij në parlament, por i larguar nga politika për shkak të ligjit të dekriminalizimit.
Pra, nga njëra anë kemi Braçen që bën moral për një çadër modeste në Tiranë, nga ana tjetër kemi relaksin e tij nën çadrën luksoze të një ish-politikani të përfolur. Barazi? Po, vetëm kur flet për të tjerët. Sepse, siç duket, kur je nën diellin e Himarës, “mbrojtja e publikut” është një sport sezonal.