Chris Hemsworth i zbuloi Sky News se momenti kur mësoi se kishte një rrezik në rritje për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit ishte një “pikë kthese” në jetën dhe motivimet e tij.
Në sezonin e parë të serialit Limitless: Live Better Now të National Geographic, aktori australian zbuloi nëpërmjet një testi gjenetik se mban dy kopje të gjenit APOE4, gjë që e bën atë biologjikisht 8 deri në 10 herë më të prirur se një person mesatar për të zhvilluar sëmundjen gjatë jetës së tij.
Fillimisht, aktori mori pjesë në program si një “derr eksperimental” që do të provonte përvoja të reja, sfida fizike dhe mendore. Megjithatë, rezultati i testit e solli atë përballë një të vërtete të papritur. Një në 50 persona trashëgojnë dy kopje të gjenit, dhe hulumtimet tregojnë se pothuajse të gjithë ata që e mbajnë atë tregojnë shenja të hershme të sëmundjes – e cila çon në demencë – deri në moshën 55 vjeç.
Rreziku ndryshon për secilin person, ndërsa ekspertët theksojnë se, pavarësisht gjenit, ka mënyra për ta zvogëluar atë: shmangia e pirjes së duhanit, kufizimi i alkoolit, ushtrimet e përditshme, kontrolli i kolesterolit dhe presionit të gjakut dhe ngrënia e një diete të ekuilibruar.
Duke folur për momentin kur mësoi se ishte “bartës i dyfishtë”, aktori tha:
“Ishte një pikë në jetën time ku, deri në moshën 40 vjeç, mblidhje të dhëna dhe informacione, vepronje në mënyrë reaktive. Papritmas e kupton se një pjesë e identitetit që ke ndërtuar mund të mos jetë më e vlefshme. Brenda teje zgjohet një nevojë për të kuptuar më thellë, për të vënë në pikëpyetje qëllimin dhe ‘pse’-në pas asaj që bën… çfarë kërkon dhe çfarë ofron, në vend që të mendosh vetëm për atë që mbledh.”
Ky zbulim e shtyu atë të përqendrohej më shumë në një jetë më të mirë dhe në maksimizimin e kohës që kalon me familjen dhe miqtë e tij.
Ndryshimi në mënyrën e tij të të menduarit është i dukshëm në sezonin e dytë të shfaqjes. “Këtë herë isha shumë i përfshirë në organizim dhe prodhim, duke zgjedhur vende dhe tema që më interesonin ose kishin rëndësi personale. Ishte më shumë si gazetari përjetimore sesa si një konkurrent në një reality show argëtues dhe kërkues”, shpjegon ai.
“Isha më i angazhuar dhe më i informuar. Kisha bërë kërkimin tim, kisha një mendim personal, por edhe trajnimin që kisha marrë paraprakisht. E shijova më shumë procesin. Në sezonin e parë u ndjeva në siklet, duke qëndruar pranë ekspertëve dhe duke mos ditur asgjë për problemet, por duhej të flisja për to. Ndihesha si mashtrues gjatë gjithë kohës.”
Në skenë me Ed Sheeran
Për sfidën e sezonit të dytë, Chris Hemsworth zgjodhi të mësonte bateri dhe në një nivel ekstrem: të ngjitej në skenë me mikun e tij, Ed Sheeran, dhe të luante “Thinking Out Loud” para dhjetëra mijëra shikuesve.
“Frika dhe ankthi ishin vërtet të larta“, pranon aktori, duke përshkruar ndjesinë “sikur isha nën ujë” disa javë para ngjarjes.
“Është e çuditshme se si situatat intensive mund të shkaktojnë hiper-fokus; është një mekanizëm mbijetese për trurin. Në sfida të tjera, nëse do ta kisha bërë stërvitjen, do të kishte qenë e dobishme, por mund ta kisha bërë vetë. Por me një instrument, nuk është kështu – dhe të kuptuarit se i gjithë grupi mbështetet tek ti për të mbajtur ritmin… dhe pastaj të mendosh se 70,000 njerëz janë ulur atje duke thënë: ‘Ju lutem mos na e prishni këngën tonë të preferuar.’”