Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, znj. Jorida Tabaku, në prezantimin e raportit vjetor për vitin 2024, ngriti shqetësimin se Shqipëria po mbyll këtë legjislaturë pa arritur asnjë nga objektivat thelbësore të integrimit europian. Ajo e cilësoi këtë periudhë si më të varfërën në standarde demokratike dhe më të mbyllurën për opozitën që prej viteve të para të tranzicionit.
“Fatkeqësisht, kjo legjislaturë po mbyllet me numrin më të lartë të detyrave të papërmbushura nga Kuvendi, me mungesë transparence, mungesë llogaridhënieje dhe përjashtim të plotë të opozitës nga proceset vendimmarrëse”, deklaroi Tabaku në fjalën e saj.
Sipas saj, qeveria ka dështuar të përmbushë detyrimet kryesore që burojnë nga procesi i anëtarësimit në BE, duke shkelur vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke mos zbatuar reformën zgjedhore dhe duke bojkotuar vetë Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian.
Tabaku kritikoi ashpër krijimin e një institucioni paralel që, sipas saj, ka uzurpuar funksionet e komisioneve parlamentare, duke miratuar reforma të njëanshme dhe duke përjashtuar opozitën dhe grupet e interesit nga procesi i integrimit.
“Kjo nuk është rruga europiane. Kjo është rruga e kontrollit dhe e përjashtimit. Nuk ka integrim me komisione njëpartiake dhe reforma të bëra në errësirë”, u shpreh Tabaku.
Ajo përmendi me shqetësim se 26 institucione nuk kanë raportuar fare për punën e tyre gjatë këtij sesioni parlamentar, ndërsa 37 nisma të opozitës janë mbajtur në sirtar pa u shqyrtuar. Tabaku theksoi se Parlamenti nuk ka miratuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe nuk ka bërë asnjë hap drejt votës së diasporës apo auditimit të financimeve zgjedhore.
Një nga çështjet më të rënda që ajo solli në vëmendje ishte skandali me fondet IPARD, ku Shqipëria, për herë të parë në 33 vite, është vënë nën hetim për vjedhjen e fondeve të BE-së, siç thuhet në raportin e OLAF. Sipas saj, kjo është një njollë e rëndë mbi institucionet shqiptare dhe një dëshmi e qartë se integrimi po mbetet vetëm në letra.
“Integrimi nuk është marketing politik. Është standard dhe llogaridhënie. Dhe Shqipëria këto standarde i ka shkelur”, përfundoi Tabaku, duke theksuar se opozita asnjëherë nuk ka penguar procesin e integrimit, përkundrazi ka qenë bashkëpunuese në çdo hap.
Në fund, Tabaku falënderoi stafin e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe Komisionit të Çështjeve Europiane për punën e tyre, duke shprehur keqardhje që hapësira për punë reale u bllokua nga vullneti politik i maxhorancës.
Fjala e plote
Të nderuar kolegë deputetë,
Sot paraqesim raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2024, siç parashikohet në nenin 7 pika 1 të ligjit nr. 15/2015, i ndryshuar, dhe në ligjin nr. 19/2023 për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky raport duhet të prezantohet një herë në vit në Kuvend nga Kryetari dhe Nënkryetari i Këshillit.
Raportimi vjen në përfundim të një legjislature që, për fat të keq, nuk shënoi suksesin e pritshëm në procesin e integrimit. Shqipëria nisi negociatat me Bashkimin Europian jo si rezultat i përmbushjes së kritereve, por si një vendim politik i diktuar nga rrethanat gjeopolitike. Një bonus dhe jo një meritë. Ky momentum nuk u shfrytëzua si duhet. Nuk u përkthye në reforma reale, as në përmirësim të standardeve demokratike. Përkundrazi, sot diskutojmë ende për standarde minimale të funksionimit të demokracisë.
Në vend të bashkëpunimit, ka pasur përjashtim; në vend të dialogut, heshtje; në vend të dorës së shtrirë, uzurpim të çdo hapësire të opozitës. U krijua një komision ad-hoc, që shumë shpejt u kthye në një instrument të njëanshëm të maxhorancës. Fatkeqësisht, modeli institucional që tentuam të ndërtonim mbi frymën europiane, i ngjashëm me modelin kroat, nuk u respektua. Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian është bojkotuar nga maxhoranca dhe ka funksionuar vetëm një herë gjatë vitit të fundit.
Ndërkohë, është krijuar një strukturë paralele që merr vendime për reforma pa transparencë, pa konsultim me opozitën, pa përfshirjen e grupeve të interesit dhe qytetarëve. Ky komision paralel po avancon ndryshime të rëndësishme ligjore – për deklarimin e pasurisë, konfliktin e interesit dhe financimin e partive politike – pa asnjë konsultim dhe në prag të krijimit të një shumice absolute prej 83 votash, që synon të ndryshojë çdo ligj organik pa dëgjuar askënd.
Kjo nuk është rruga europiane. Kjo është rruga e kontrollit total, e përjashtimit, e dominimit politik dhe jo e reformimit të shtetit.
Parlamenti ka dështuar të përmbushë detyrat e tij: 37 nisma të deputetëve të opozitës kanë qëndruar në sirtarë, pa u shqyrtuar. 26 institucione nuk kanë raportuar fare për aktivitetin e tyre gjatë sesionit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar – që nga rasti i Teatrit Kombëtar e deri te vendimet për bordet e ushqimit dhe karburanteve.
Nuk kemi reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Nuk është përmbushur asnjë nga rekomandimet themelore për votën e diasporës, rishikimin e mandateve, auditimin e financimit zgjedhor, as depolitizimi i administratës zgjedhore. Përkundrazi, jemi në një situatë ku institucionet e pavarura kanë humbur kuptimin e pavarësisë së tyre dhe Kuvendi nuk është më një institucion kontrolli, por zgjatim i qeverisë.
Kjo është legjislatura me numrin më të lartë të kërkesave të refuzuara për debat dhe interpelanca. Dhe për herë të parë, legjislatura mbyllet pa një rezolutë të përbashkët për integrimin europian.
E vetmja pengesë për integrimin e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet qeveria. Qeveria që nuk arriti të organizojë zgjedhje të lira, që shkel vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që nuk garanton institucione funksionale demokratike dhe që është përfshirë në skandalin e përvetësimit të fondeve të BE-së përmes IPARD, siç e përmend raporti i OLAF.
Raportet nga Komisioni Europian, nga Parlamenti Europian dhe nga institucionet monitoruese e kanë dhënë tashmë përgjigjen: Shqipëria ka dështuar për shkak të qeverisë, jo për shkak të opozitës. Opozita asnjëherë nuk e ka braktisur këtë proces. Asnjëherë nuk ka qenë pengesë.
Shpreh falënderimet për gjithë stafin e Këshillit Kombëtar të Integrimit dhe të Komisionit të Çështjeve Europiane për punën e tyre gjatë këtyre viteve. Kërkoj ndjesë nëse dinamika politike, mbyllja e hapësirave për debat dhe zaptimi i institucioneve, ka ndikuar në punën e përbashkët. Por kjo është pasqyra më e qartë e realitetit politik në të cilin ndodhet Shqipëria.
Integrimi nuk është propagandë. Është standard. Dhe Shqipëria, fatkeqësisht, i ka shkelur ato standarde. Kemi humbur një mundësi historike për të transformuar vendin tonë. Dhe për këtë përgjegjësia është vetëm një: qeveria.