Ka ndërruar jetë në moshën 77-vjeçare Ndue Cara, ish-kryetar i Bashkisë së Pukës dhe një prej figurave më të respektuara të mjekësisë dhe jetës publike në këtë qytet. Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, Cara u nda nga jeta duke lënë pas një trashëgimi të rrallë humanizmi dhe përkushtimi.
Cara shërbeu si kryetar i Bashkisë së Pukës në vitet 2000-2003, dhe ndryshe nga shumë drejtues lokalë që largohen pas përfundimit të mandatit, ai zgjodhi të qëndrojë mes qytetarëve, duke mos u shkëputur asnjëherë nga profesioni i mjekut. Në fakt, edhe gjatë mandatit si kryebashkiak ai vijoi të vizitonte pacientët nga zyra e tij, një akt i pazakontë që e bëri të dallueshëm dhe të dashur për komunitetin.
Simbol i një përkushtimi të pashoq, prej gati një dekade ai jetonte në kushte modeste, në një kontejner në zonën e thellë të Fierzës, duke ofruar ndihmë mjekësore për banorët e fshatrave të izoluara. Pa zhurmë e pa kërkuar lavdi, Ndue Cara mbeti një figurë që mishëroi thirrjen e vërtetë të mjekësisë: shërbimin ndaj njeriut deri në frymën e fundit.
Puka dhe e gjithë Shqipëria humbën sot një nga njerëzit e saj më të përulur, më të ndershëm dhe më të përkushtuar ndaj të mirës së përbashkët.







