Pak ditë më parë, në mediat shqiptare qarkulloi lajmi se, pas largimit të ish-ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, të njëjtin fat pësoi edhe ish-ambasadorja tjetër, Yuri Kim. Por sot rezulton të jetë krejt e kundërta, sepse, pasi emri i saj ishte hequr nga faqja zyrtare e Departamentit Amerikan të Shtetit, po ky institucion e ka rikthyer sot CV-në e zonjës Kim, duke bërë një njoftim se ajo është emëruar në një post gjithashtu shumë të rëndësishëm: Këshilltare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).
Në këtë mënyrë, shuhen ëndrrat e të gjithë atyre që shpresuan herët se ky ishte një hap i madh drejt heqjes së non-gratës së Sali Berishës në administratën e re Trump.
Ja çfarë shkruan Departamenti i Shtetit për zonjën Kim:

“Yuri Kim është Këshilltare e Lartë për Efiçencë dhe Përgjegjësi në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Para këtij emërimi, Ambasadorja Kim ishte Zëvendës Ndihmës Sekretare Kryesore e kësaj byroje nga viti 2023 deri në 2025.
Si diplomate karriere, Ambasadorja Kim ka punuar për çështje kyçe të politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare në Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Ajo shërbeu si Ambasadore e SHBA në Republikën e Shqipërisë nga viti 2020 deri në 2023, e emëruar nga Presidenti Trump dhe duke vazhduar detyrën nën administratën e Presidentit Biden.
Më parë, ajo ka qenë drejtoreshë për Çështjet e Evropës Jugore, ku mbulonte Turqinë, Greqinë, Qipron dhe rajonin më të gjerë të Mesdheut Lindor; drejtoreshë e Qendrës për Studimin e Sjelljes Diplomatike; dhe drejtoreshë e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjet Politiko-Ushtarake, përgjegjëse për NATO-n dhe Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).
Ajo gjithashtu ka shërbyer si Shefe e Kabinetit të Zëvendës Sekretarit të Shtetit dhe, më herët në karrierën e saj, si Asistente Speciale e Sekretarit Colin Powell. Kim ishte gjithashtu anëtare e delegacionit amerikan në Bisedimet me Gjashtë Palë mbi çështjen bërthamore të Koresë së Veriut.
Përvojat e saj ndërkombëtare përfshijnë shërbime në Turqi, Irak, Korenë e Jugut, Japoni dhe Kinë. Yuri Kim ka një diplomë B.A. nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një M.Phil. nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo është rritur në ishullin Guam.”







