FLASH :

Shthuret Thurja, largohen një nga një kandidatët / Rigerta Loku: Shabani nuk tregoi burrni!

Pas një sërë zhvillimesh të debatueshme brenda koalicioit “Nisma Shqipëria Bëhet”, dy figura publike dhe aktive në jetën politike lokale, Rigerta Loku dhe Klajdi Pllaha, kanë bërë publike largimin e tyre nga Nisma Thurje, duke shprehur hapur zhgënjimin për mënyrën se si janë trajtuar parimet dhe premtimet që kjo lëvizje kishte në fillimet e saj.

Rigerta Loku : “Për mua besa dhe fjala janë institucione më të vjetra se ligji”

Në një deklaratë të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rigerta Loku , anëtare e Këshillit Bashkiak të Mirditës, ka shprehur indinjatën e saj lidhur me zhvillimet që pasuan shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve dhe sidomos mënyrën si u trajtua mandati i vetëm që fitoi koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”.

Pa përmendur emra, ajo thumbon hapur drejtuesin e Nismës, Endrit Shabani, për vendimin që ai të pranojë mandatin, ndonëse më parë kishte deklaruar se nëse koalicioni do të merrte vetëm një mandat, ai nuk do ta pranonte atë.

“Për mua besa dhe fjala e dhënë janë institucione më të vjetra dhe më të shenjta se ligji dhe në gjithë këto kohë vetëm janë shkelur e përdhosur. Ka vite që nga këtu ku jam, rend jo pas partisë, por pas idealeve, sepse nuk dua të bëj politikë me lojra fjalësh por me fjalën që ze vend.”

Rigerta Loku shton se zhgënjimi është i thellë, sidomos kur ky qëndrim vjen nga të rinj që pretendonin ndryshimin e politikës së vjetër, por për një mandat, sipas saj, “u dëmtuan jo vetëm dy parti të një koalicioni, por u minua edhe rruga e forcave të reja politike”.

Në përfundim të reagimit të saj, ajo shpall zyrtarisht largimin nga “Nisma Thurje” dhe deklaron se do të vijojë të jetë pjesë e Këshillit Bashkiak të Mirditës si një zë i pavarur.


Klajdi Pllaha: “Hymë me idealizëm, po dalim nga humbja e tij”

Në të njëjtën linjë reflektimi dhe ndarje të qartë, Klajdi Pllaha, këshilltar bashkiak në Korçë dhe një ndër emrat më të angazhuar me Nismën që prej vitit 2021, njoftoi largimin nga lëvizja.

“Një mik i mençur më pati thënë dikur: ‘Për të njëjtën arsye pse hyn në një parti, për të njëjtën edhe del prej saj.’ Në vitin 2021 hyra me idealizëm, sepse besoja në pastërtinë e të rinjve që donin të ndryshonin sistemin. Por ngjarjet e zgjedhjeve të fundit treguan se ky idealizëm është humbur, ose në rastin më të mirë është vënë në hije nga egoja personale apo papjekuria politike.”

Pllaha thekson se gjatë pesë viteve të angazhimit të tij, ka pasur gjithmonë një distancë mes tij dhe strukturës vendimmarrëse të partisë. Ai ndjen se qytetarët e Korçës e kanë votuar për figurën e tij dhe jo për logon politike që përfaqësonte.

“Jam i sigurt që të gjithë ata që më kanë votëbesuar, ia kanë dhënë besimin Klajdit, jo partisë. Prandaj, tashmë do të jem zyrtarisht i pavarur në Këshillin Bashkiak, ashtu siç jam ndjerë gjithmonë.”

Në fund, ai shprehet optimist dhe beson se politika shqiptare do të ketë gjithmonë vend për të rinj me ideal dhe karakter, për aq kohë sa zëri qytetar do të vazhdojë të forcohet.


Një sinjal i fortë për politikën e re

Largimi i Rigerta Loku dhe Klajdi Pllahës nga Nisma Thurje nuk është thjesht një lëvizje personale; ai pasqyron një zhgënjim më të gjerë me drejtimin që ka marrë kjo lëvizje, e cila dikur premtonte frymë të re në politikën shqiptare. Të dy theksojnë qartë se nuk braktisin angazhimin qytetar apo publik, por nuk mund të jenë më pjesë e një strukture ku idealet janë zëvendësuar nga kalkulimet personale dhe vendimmarrja e mbyllur.

Me këto dy deklarata, ngrihen pyetje serioze për të ardhmen e partive të reja në Shqipëri, që shpesh lindin mbi parime të forta, por nuk arrijnë t’i mbajnë ato në momentet vendimtare.