Një burrë në Kinë është kthyer në simbol të qëndresës individuale përballë kompanive ndërtimore, pasi refuzoi të largohej nga fshati i tij dhe ndërtoi një strukturë 10-katëshe në formë piramide, në një zonë ku të gjitha shtëpitë e fqinjëve janë rrafshuar.
Chen Tianming, 42 vjeç, është banor i vetëm në një fshat të krahinës Guizhou në jugperëndim të Kinës, ku që në vitin 2018 nisi një projekt për ndërtimin e një resorti turistik prej 800 hektarësh me teatro dhe liqene artificiale. Por ndërsa të gjithë fqinjët e tij u larguan, Chen refuzoi të dorëzohej, duke qëndruar në shtëpinë e ndërtuar nga gjyshi i tij dhe duke e ngritur kat pas kati ndër vite, pavarësisht urdhrave të përsëritur për shembje.
“Nisa thjesht për ta zgjeruar shtëpinë. Pastaj u kthye në një pasion,” tregon Chen, ndërsa ngjitet me shkallë druri mes trarëve të përkulur dhe korridoreve të ngushta të ndërtimit të tij labirintik. “Tani është hobi dhe identiteti im.”


Shtëpia, e ndërtuar me dërrasa të vjetra, litarë dhe kabllo që e mbajnë të lidhur fort pas tokës, është bërë një simbol i “shtëpive gozhdë” në Kinë – një term që përshkruan banorët që nuk pranojnë të shpërngulen, pavarësisht kompensimeve dhe presioneve nga shteti apo kompanitë.
Në vitin 2023, shtëpia e Chen arriti në katin e shtatë dhe u shpall ndërtim i paligjshëm. Ai u urdhërua të shembte gjithçka përveç bungalow-t origjinal brenda pesë ditëve. Por Chen vazhdon të luftojë ligjërisht, duke apeluar vendimet gjyqësore, ndonëse ka humbur disa seanca paraprake.
“Nuk jam i shqetësuar,” thotë ai. “Tani që projekti është anuluar, nuk ka arsye që ta shembin shtëpinë.”
Ironikisht, ndërtesa e tij ka filluar të tërheqë turistë kureshtarë. Njerëzit krahasojnë ndërtimin me filmat magjepsës të Studio Ghibli, si “Kështjella Lëvizëse e Howl-it” apo “Udhëtim drejt botës së shpirtërave”, për shkak të formës së pazakontë dhe atmosferës surrealiste.


Në mbrëmje, Chen ndriçon kullën e tij me fenerë dekorativë dhe njerëzit mblidhen në rrugicat e pluhurosura për ta parë nga afër.
“Është e bukur,” thotë një banore lokale. “Nëse nuk ka rrezik për sigurinë, mund të shpallet edhe monument lokal.”
Për Chen-in, ajo që nisi si përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë e familjes, është kthyer në një ëndërr të bërë realitet:
“Të gjithë ëndërrojnë të ndërtojnë një shtëpi me duart e veta… por pak e arrijnë. Unë jo vetëm që e mendova, por e realizova.”








