Përsëritet i njëjti avaz çdo fundjavë dhe çdo ditë me diell: trafik i rënduar deri në paralizë, qytetarë që mbeten me orë të tëra të bllokuar në rrugë, vetëm për të shkuar apo për t’u kthyer nga plazhi. Aksi ndërqytetas Tiranë-Durrës, që përshkohet nga mijëra automjete çdo ditë, vazhdon të jetë jashtë çdo standardi modern dhe nuk i përgjigjet më nevojave të kohës.
Në një Tiranë që numëron mbi 1 milion banorë dhe një fluks të jashtëzakonshëm mjetesh, infrastruktura rrugore mbetet e një kohe tjetër. Qytetarët kanë bërë hapin përpara, duke investuar në mjete për të lëvizur e për të kryer nevojat e përditshme, ndërkohë që qeveria vijon të mbetet disa hapa mbrapa, pa ofruar një rrjet rrugor funksional që të përballojë këtë realitet të ri. Në vend të zgjidhjeve, qytetarëve u ofrohet pritje, stres dhe jetë të nxirë në trafik.