FLASH :

Shqiptari në Itali: I pastrehë, i papunë, por me makinë dhe kokainë në cigare!

Karabinierët e Perugia dyshuan tek sjelljet e 28-vjeçarit, që edhe pse i pastrehë dhe i papunë, qarkullonte në qytet me mjet. Në një dhomëz të fshehtë të makinës, ishte futur paketa e cigareve me 16 doza droge brenda dhe valutë cash

 Karabinierët e Perugia arrestuan një 28-vjeçar shqiptar për posedim të lëndëve narkotike me qëllim trafikimin dhe shitjen.

I dyshuari ishte i pastrehë, i papunë dhe pa precedentë penalë, por qarkullonte me një makinë që ngriti dyshimet tek efektivët. Aksioni u bë në zonën e Ponte Felcino.

Gjatë kontrollit fizik të tij dhe makinës, u gjet një paketë cigare me 16 doza kokaine të mbështjella me celofan, me një peshë totale prej 7.5 gramë. Paketa ishte futur në një dhomëz të fshehtë të mjetit, me zgjuarsi.

Gjithashtu u sekuestrua edhe shuma prej 305 eurosh cash, celularë dhe sende të tjera materiale, informon media italiane.

Në përfundim të seancës, gjyqtari i Gjykatës së Perugias cilësoi të ligjshëm ndalimin, por zbuti masën e sigurisë në detyrim paraqitjeje çdo ditë në polici.