Një shtetas shqiptar është arrestuar në Itali pasi u kap duke transportuar 10 kilogramë kokainë në një automjet tip “Alfa Romeo”, ndërsa udhëtonte në autostradën e zonës së Cassino-s, në provincën e Frosinones.
Operacioni policor është zhvilluar disa ditë më parë, por është bërë publik sot nga mediat italiane. Sjellja nervoze e shoferit dhe përgjigjet kontradiktore për destinacionin dhe origjinën e tij çuan efektivët në një kontroll të imtësishëm të mjetit. Nën mbulesën e ndarjes së rrotës rezervë u gjet një qese plastike me disa “tulla” kokaine, me një vlerë të mundshme tregu që kap shifrën e mbi 1 milion eurove.
Shqiptari u arrestua menjëherë me akuzën për trafik dhe posedim të lëndëve narkotike dhe është transferuar në burgun e Cassino-s, ku ndodhet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.







