Shqipëria, kampione e orëve të gjata të punës në kontinent – por në fund të renditjes për paga
Shqiptarët janë populli që punojnë më gjatë në të gjithë Europën, sipas të dhënave të vitit 2023. Sipas INSTAT, të punësuarit me pagë në Shqipëri punojnë mesatarisht 43.7 orë në javë, një shifër që tejkalon ndjeshëm mesataren e Bashkimit Europian, e cila është 36.1 orë. Edhe krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria mban vendin e parë për ngarkesën javore të punës, përpara Turqisë (43.1 orë), Malit të Zi (42.8), Serbisë (41.3) dhe Bosnjës (41.2).

Sektori i prodhimit, ndërtimit dhe bujqësisë regjistrojnë orët më të larta, me mbi 44 orë pune në javë, ndërsa administrata publike qëndron më poshtë në listë me 40 orë.
Paradoksi më i madh qëndron në faktin se sa më shumë punojnë shqiptarët, aq më pak paguhen. Pavarësisht përkushtimit dhe kohës së gjatë në punë, pagat minimale dhe mesatare në Shqipëri mbeten më të ulëtat në Europë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Ndërkohë, sipas Eurostat, në BE, Greqia (39.8), Rumania (39.5) dhe Polonia (39.3) kryesojnë për javët më të gjata të punës, ndërsa Holanda (32.2), Austria (33.6) dhe Gjermania (34.0) kanë oraret më të shkurtra.

Për ironi, vendet me më pak orë pune janë edhe ato me pagat më të larta – një kontrast që hedh dritë mbi problemet strukturore të tregut të punës shqiptar.