Gazetari dhe aktivisti Bled Marku mbajti një fjalim të ashpër gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike dhe opozita në Bulevardin “Zogu i Parë”, në Tiranë, kundër manipulimit të pretenduar të zgjedhjeve të 11 majit nga kryeministri Edi Rama.
“Kam parë nga afër zhgënjimin e njerëzve,” deklaroi Marku, duke akuzuar se shqiptarët po qeverisen nga një “bandë kriminale” dhe se parlamenti i ri është “kuvendi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të egër”.
Sipas tij, protestat dhe reagimi qytetar janë hapi i radhës për rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur të shqiptarëve. Ai theksoi se manipulimi i votës dhe infiltrimi i krimit në institucione po shkatërrojnë çdo shpresë për të ardhmen.
“Asnjë prind nuk pushkaton fëmijën e vet me votë. Asnjë shqiptar nuk voton që të largohet nga vendi, të paguajë çmimet më të larta të karburantit në rajon apo të jetojë pa subvencione. Ajo që pamë më 11 maj nuk është vullneti i lirë i qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Marku.
Ai akuzoi qeverinë se po përdor presionin, patronazhistët dhe bandat për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve, ndërsa theksoi se “500 mijë shqiptarë i qëndruan besnik shpresës, duke votuar kundër sistemit”.
Në një paralelizëm të fortë historik, Marku e krahasoi regjimin aktual me diktaturën komuniste, duke thënë se qytetarët tashmë kanë vetëm tre mundësi: të largohen, të burgosen, ose të shtypen.
“Edi Rama sot po gënjen liderët europianë disa metra më tutje, në samitin ku u flet për demokraci, por nuk u thotë për vjedhjen e votës. Nëse nuk e ndalim tani, Shqipëria do shndërrohet në një kazan të madh ku Europa do hedhë të burgosurit e saj, njësoj si me kampet në Lezhë”, paralajmëroi ai.
Marku e përmbylli fjalën me një thirrje për rezistencë të bashkuar kundër qeverisë dhe për rikthimin e votës së lirë:
“Nëse qëndrojmë bashkë, jo vetëm që do ta fitojmë luftën me të keqen, por do ta shporrim Edi Ramën njëherë e mirë nga ky vend.”