Nga Maksi Çami
Sot, pas katër mandatesh të njëpasnjëshme të qeverisjes Rama, Shqipëria nuk është më vetëm një vend i lodhur nga politika dhe keqeverisja. Është një komb i ndarë në dy botë paralele. Në njërën anë një shumicë e adhuruesve, që nuk votojnë më me mendje, por me instinkt idolatrie, me besnikëri të verbër dhe me refleksin e një hyzmeqari të shpërblyer me thërrime. Në anën tjetër një pakicë gjithnjë e më e frustruar, e cila nuk e gjen dot veten as tek pushteti që e ka tradhtuar, e as tek opozita që ende nuk di ku është për vete e jo më ta udhëheqë.
E megjithatë, ndodhemi përballë një premtimi të madh, që nuk mund të harrohet: Integrimi në Bashkimin Europian brenda pesë viteve, me të gjitha të drejtat e plota. Ky ishte jo vetëm slogani i zgjedhjeve të fundit, por edhe justifikimi moral me të cilin Rama kërkoi një tjetër mandat “jepmëni kohën që më duhet për ta çuar Shqipërinë në Europë”. Këtu lind pyetja themelore: kush do t’i kërkojë llogari Ramës për këtë premtim?
Adhuruesit nuk e bëjnë. Ata falin. Madje adhurojnë më fort sa më shumë i poshtëron. Adhuruesit e Edi Ramës nuk janë thjesht votues. Janë të ndërtuar si pasues, si njerëz që kanë humbur kuptimin e demokracisë dhe janë ngulitur në një psikozë ku lideri nuk kritikohet, por duartrokitet. Edhe kur i vjedh. Edhe kur i lë pa punë. Edhe kur i detyron të marrin gomonen për të shpëtuar fëmijët. Ata nuk do t’i kërkojnë llogari për integrimin. Sepse në mendjen e tyre, integrimi nuk është një proces i matshëm, por një fjalë e bukur që thotë shefi. Ashtu si “rilindja”, si “shëndetësia falas”, si “drejtësia e re” fjalë që nuk kërkojnë prova, vetëm besim.
Ndërsa ne, pakica që ende mendojmë, duhet ta bëjmë. Duhet t’i kujtojmë Edi Ramës çdo muaj, çdo vit, çdo samit, se ai vetë premtoi Europën. Ai nuk premtoi që do të niste një negociatë teknike. Premtoi anëtarësim të plotë brenda pesë viteve. Këtë nuk ia kërkoi opozita, këtë ia kërkoi ai vetë popullit, për ta votuar dhe populli, për keqardhje, e votoi.
Ndaj tani, barra e të vërtetës është mbi ne. Ne që nuk jemi as me partinë e pushtetit, as me një opozitë që s’ka ende një ide të qartë. Ne që nuk duam as rilindje fallco, as kthim pas në duart e dështakëve të vjetër të korruptuar e të kalbur politikisht. Ne që kërkojmë një Shqipëri normale, të drejtë, të lirë. Dhe kjo Shqipëri normale fillon me llogaridhënie.
Le ta shkruajmë sot, që të mos harrojmë nesër:
- Rama premtoi BE me të drejta të plota brenda pesë viteve.
- Kjo nënkupton mbylljen e të gjitha kapitujve të negociatave.
- Kjo nënkupton një sistem drejtësie që funksionon.
- Kjo nënkupton ekonomi të formalizuar, institucione të pavarura dhe zgjedhje që nuk kontestohen.
- Dhe nëse në vitin 2029, Shqipëria është ende në korridoret e Brukselit, pa vendim, pa dinjitet, pa anëtarësim atëherë le të jetë kjo pakicë që e kujton këtë ditë dhe thotë: Na gënjeve. Zhduku!
Shqiptarët janë të ndarë. Disa adhurojnë dhe falin gjithçka. Ne të tjerët kemi vetëm një armë, kujtesën. Dhe një detyrim, t’i kërkojmë llogari për çdo fjalë të thënë, për çdo premtim të bërë, për çdo të ardhme të rrëmbyer. Sepse, në fund të fundit, integrimi në Europë nuk është privilegj i Edi Ramës. Është e drejta jonë si qytetarë. Dhe askush nuk ka të drejtë ta përdorë si mjet fushate për ta hedhur pastaj si letër të vjetër në koshin e harresës. Por llogaria nuk kërkohet pas katër vitesh, kërkohet nga sot e çdo ditë, nëse duam të jemi njerëz të ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm e jo pasues të verbër të pushtetit gjashtëmbëdhjetë vjeçar të Ramës.