FLASH :

Shqipëria, vendi me ikjet më të mëdha në Europë për vitin 2024: Emigrimi thellohet dhe shpresa venitet

Shqipëria ka shënuar normën më të lartë të emigracionit neto negativ në Europë për vitin 2024, sipas Eurostat, me -12.1 persona për çdo 1000 banorë, duke e lënë pas edhe vendin e dytë në renditje me diferencë të theksuar. Kjo shifër përfaqëson një përkeqësim krahasuar me vitin 2022, kur treguesi ishte -11.7. Ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, ku kthimet po tejkalojnë ikjet, Shqipëria vazhdon të përballet me një valë të vazhdueshme largimesh, pa ndonjë ngadalësim të dukshëm.

Të dhënat e INSTAT tregojnë një plakje të shpejtë të popullsisë, me moshën mediane që ka arritur 44.3 vjeç në fillim të 2025-ës dhe me -29 mijë persona të larguar vetëm në vitin e fundit. Në total, gjatë viteve 2023 dhe 2024, emigracioni neto kap shifrën -72,597. Pjesa më e madhe e emigrantëve janë të rinj, të cilët sipas anketave të “Monitor”, largohen për mungesë perspektive, standarde të ulëta jetese, arsim dhe shëndetësi të dobët, si dhe pasiguri politike. Ndërkohë që vendet fqinje kanë nisur të zbatojnë politika për kthimin e diasporës, Shqipëria vazhdon të mos ketë një strategji efektive, duke lejuar boshatisjen e zonave rurale, mungesën e fuqisë punëtore dhe rënien e shërbimeve publike.