FLASH :

Shqipëria TOP SEARCH ne Google

Në vetëm tre vite, Shqipëria është ngjitur me shpejtësi në skenën ndërkombëtare të turizmit. Nga një vend i panjohur për shumicën e udhëtarëve europianë, është kthyer në një emër që përmendet në mediat prestigjioze dhe kërkohet masivisht në Google. Ky “boom” turistik nuk është produkt i ndonjë strategjie shtetërore, por rezultat i bukurive natyrore, mikpritjes tradicionale, çmimeve të përballueshme dhe valës së promovimit organik nga udhëtarë dhe influencerë të huaj.

Qytetet bregdetare, zonat malore dhe qendrat historike si Gjirokastra e Berati po renditen ndër destinacionet më tërheqëse të Europës. Pas pandemisë, Shqipëria u shfaq si një alternativë më e qetë dhe më e sigurt krahasuar me Mesdheun e mbipopulluar. Media të huaja e kanë quajtur “perlë e fshehur” dhe “destinacion autentik me potencial të jashtëzakonshëm turistik”.

Por teksa bota po e zbulon Shqipërinë, qeveria duket e papërgatitur për ta menaxhuar këtë fluks. Infrastruktura rrugore mbetet e amortizuar, transporti publik për turistët është pothuajse inekzistent, menaxhimi i mbetjeve në zonat turistike është skandaloz, dhe orientimi turistik shpesh mbetet në duart e privatëve ose thjesht mungon.

Kërkimet në Google për “Albania beaches”, “Albania travel” apo “Riviera Albanese” po rriten në mënyrë të ndjeshme nga Italia, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA-ja. Sezoni veror sjell kulmin e interesit, por gjithnjë e më shumë po lind edhe kërkesa për turizëm jashtë sezonit, si ecje në male apo vizita kulturore. Megjithatë, rrugët drejt Valbonës apo Thethit tregojnë qartë se sa pak është investuar në akses dhe siguri.

Në zonat bregdetare, ndërtimet e vogla pa kriter, mungesa e plazheve publike të mirëmenaxhuara dhe mungesa e një plani urbanistik po rrezikojnë të shkatërrojnë pikërisht atë që tërheq turistët: natyrën e paprekur. Ndërkohë, qytetet historike vuajnë mungesën e qendrave të informacionit, sinjalistikës dygjuhëshe dhe shërbimeve bazë për vizitorët.

Sipas Google Trends, në 90 ditët e fundit Shqipëria ka marrë 66 pikë në interesin global për udhëtime më shumë se Mali i Zi (61 pikë) dhe kryeson listën e vendeve të kërkuara nga turistët në Itali, Portugali dhe Marok. Ky është një moment i artë për ekonominë kombëtare. Por në mungesë të një strategjie serioze nga qeveria, ky potencial rrezikon të kthehet në një problem me mbingarkesë infrastrukturore, rënie të cilësisë së shërbimeve dhe humbje të imazhit të vendit.

Shqipëria sot ka një mundësi që shumë vende ëndërrojnë të bëhet një destinacion turistik i qëndrueshëm dhe me të ardhura të larta. Por kjo kërkon vizion, planifikim dhe investim të menjëhershëm në rrugë, transport, menaxhim mjedisor dhe orientim turistik. Pa këto, “boomi” i sotëm mund të jetë thjesht një flakë kashte që do shuhet po aq shpejt sa u ndez.