Kombëtarja shqiptare e futbollit luan këtë të martë ndeshjen e katërt në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Në historinë mes dy skuadrave nuk ka asnjë fitues në pesë përballjet e mëparshme.
RIGA, Letoni – Kombëtarja shqiptare e futbollit luan këtë të martë (10 qershor) ndeshjen e katërt në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Në stadiumin ‘Skonto’ të Rigës përballë do jetë Letonia vendase, me sfidën që fillon në orën 20:45. Kuqezinjtë e Sylvinhos vijnë nga barazimi 0-0 kundër Serbisë tre ditë më parë në Tiranë, ndërsa Letonia e ka pasur pushim dhe në letër është më e freskët nga ana fizike. Te tanët trajneri Sylvinho nuk do ketë të gatshëm dy qendërmbrojtësit, Berat Gjimshiti për shkak të pezullimit për kartona dhe Arlind Ajetit për shkak të një lëndimi muskulor në kofshën e majtë. Të dy ishin titullarë kundër Serbisë.
PËRBALLJET – Në historinë mes dy skuadrave nuk ka asnjë fitues në pesë përballjet e mëparshme. Të pesta barazime, me skuadrat që kanë shënuar nga gjashtë gola në portat respektive. Ndërkohë, takimi i fundit i zhvilluar mes Shqipërisë dhe Letonisë daton më 4 shtatorin e vitit 1999, pra diçka më pas se 26 vite më parë.
Për herë të parë Shqipëria dhe Letonia u ndeshën më 11 nëntor 1992 në Tiranë, për kualifikueset e Kupës së Botës 1994. Ndeshja mbyllej në barazim 1-1, ndërsa në barazim pa gola (0-0) mbyllej sfida e kthimit në Letoni më 15 majin e 1993.
Më 10 shkurt 1998 Shqipëria dhe Letonia barazonin 2-2 në një turne të zhvilluar në Maltë.
Më pas dy skuadrat janë përballur në të njëjtin grup për kualifikueset e Euro 2000. Më 28 prill sfida në Letoni mbyllej 0-0, ndërsa në atë të kthimit në Tiranë dy skuadrat barazuan 3-3 më 4 shtator 1999.
RENDITJA – Grupin K kualifikues e kryeson Anglia me nëntë pikë të plota pas tre takimeve të luajtura. Shqipëria me katër pikë mban vendin e dytë (humbje në Angli, fitore në Tiranë kundër Andorrës dhe barazim po në Tiranë kundër Serbisë). Letonia me dy ndeshje të luajtura mban vendin e tretë me tre pikë. Më pas Serbia me një pikë pas vetëm një ndeshje të luajtur dhe në fund Andorra me zero pikë pas tre ndeshjeve të luajtura.
VLERA E SKUADRAVE – 109.35 milionë euro është vlera e lojtarëve që Sylvinho ka grumbulluar për ndeshjet e qershorit, sipas faqes ‘Transfermarkt’. Nga ana tjetër, trajneri Paolo Nicolato ka një ekip modest në letër, pasi gjithë vlera e ekipit shkon në 9.58 milionë euro. Lojtari më i vlefshëm i Letonisë është mbrojtësi i Aberdeen, Kristers Tobers, me 1 milion euro. Vetëm Ernest Muçi (11 milionë euro) vlen në treg më shumë se gjithë ekipi i Letonisë.
ARBITRI – UEFA ia ka besuar këtë takim arbitrave nga Turqia dhe Gjermania. Kryesor do jetë turku Umut Meler, me ndihmësa bashkëkombasit Kerem Ersoy, Ibrahim Çaglar Uyarcan dhe Oguzhan Çakir. Në sistemin VAR do jenë gjermanët Harms Hormers, me ndihmës Daniel Schlager.
TIFOZËT – Shumë shqiptarë që jetojnë në vendet baltike dhe jo vetëm, kanë udhëtuar drejt Rigës dhe do mbështesin Kombëtaren në stadium. Ndërkohë prezencën e kanë konfirmuar edhe ‘Tifozat Kuq e Zi’, që ndryshe nga mungesa e tyre kundër Serbisë (pas përplasjes me FSHF-në), do jenë lojtari i 12-të në Riga. 14 euro kushtonte bileta më e lirë dhe 49 më e shtrenjta për të parë ndeshjen në stadium. Më shumë se 8 mijë tifozë do jenë në stadium.
LLOGARITË – Pas barazimit 0-0 kundër Serbisë, Kombëtarja e ka detyrim fitoren për të marrë tri pikë dhe për t’u afruar me kryesuesit e Anglisë. Objektiv është vendi i dytë, por në rast mungese të suksesit sot, shanset për ëndrrën amerikane zbehen. Kujtojmë se Serbia pret Andorrën dhe në letër skuadra e Dragan Stojkovic është shumë më e fortë se rivalët modestë.
MUNGESAT – Trajneri Sylvinho nuk do ketë të gatshëm dy qendërmbrojtësit, Berat Gjimshiti për shkak të pezullimit për kartona dhe Arlind Ajetit për shkak të një lëndimi muskulor në kofshën e majtë. Të dy ishin titullarë kundër Serbisë. Veç tyre, trajneri ka lënë në tribunë sërish portierin Mario Dajsinani dhe mesfushorin Adrion Pajaziti.
Formacioni i mundshëm:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj (Balliu), Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Shehu, Bajrami (Laçi); Hoxha (Muçi), Broja, Manaj (Daku) Trajner: Sylvinho
Kalendari i Shqipërisë për ndeshjet e mbetura:
Ndeshjet sot, 7 qershor:
Andorra 0-1 Angli
Shqipëri 0-0 Serbi
Ndeshjet më 10 qershor:
Letoni – Shqipëri
Serbi – Andorra
Ndeshjet 6 shtator:
Letoni-Serbi
Angli-Andorra
-Shqipëria pushim
Ndeshjet 9 shtator:
Shqipëri-Letoni
Serbi-Angli
Ndeshjet 11 tetor:
Letoni-Andorra
Serbi-Shqipëri
Ndeshjet 14 tetor:
Andorra-Serbi
Letoni-Angli
-Shqipëria pushim
Ndeshjet më 13 nëntor:
Andorra-Shqipëri
Angli-Serbi
Ndeshjet e 16 nëntorit:
Shqipëri-Angli
Serbi-Letoni