Nga 19 maji deri më 1 qershor, Shqipëria do të mikpresë Kampionatin Evropian të Futbollit për moshën U-17, një ngjarje madhore sportive që do të zhvillohet në katër stadiume të vendit. Ky turne pritet të shërbejë si skenë debutimi për yjet e ardhshëm të futbollit botëror, ndërsa vendi ynë konfirmon për herë të parë kapacitetin për të organizuar një ngjarje të kësaj shkalle nga UEFA.
Në një aktivitet promovues të organizuar në “Shtëpinë e Futbollit”, morën pjesë personalitete të njohura si ish-sulmuesi i Kombëtares Bekim Balaj, presidenti i FSHF-së Armand Duka, zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit Endrit Hoxha dhe ambasadorja e kampionatit, Valbona Selimllari. Të pranishëm ishin gjithashtu fëmijë nga ekipet e moshave dhe vullnetarë të përfshirë në organizimin e kampionatit.
Bekim Balaj, pjesë e Vllaznisë dhe figurë simbol për rrugëtimin drejt Euro 2016, theksoi rëndësinë e këtij eventi për imazhin ndërkombëtar të vendit dhe për vetë futbollin shqiptar:
“Ky organizim na bën krenarë dhe njëkohësisht përgjegjës për ta mbështetur ekipin tonë. Tregon që Shqipëria përmbush standardet për organizime të tilla.”
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, u shpreh i bindur për suksesin e turneut dhe për vlerësimin që do të marrë mikpritja shqiptare:
“Të gjithë pjesëmarrësit do ta mbajnë mend traditën tonë të mikpritjes. U uroj të gjithëve që ta shijojnë këtë Europian në Shqipëri dhe të kemi ngjarje edhe më të mëdha në të ardhmen.”
Në event mori pjesë edhe trajneri i Kombëtares, Sylvinho, bashkë me përfaqësues të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, duke nënvizuar mbështetjen institucionale për Kombëtaren U-17, e cila përballet me skuadra elitare të Europës në një grup të vështirë.
Ky Evropian nuk është vetëm një garë sportive, por edhe një test për aftësinë organizative të Shqipërisë dhe një mundësi për t’i treguar botës fytyrën e re të futbollit shqiptar.