Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe të popullsisë në të gjithë kontinentin europian gjatë dekadës së fundit. Sipas të dhënave të Eurostat të përpunuara nga “Monitor”, popullsia shqiptare është tkurrur me 18.2% nga viti 2011 deri në fund të vitit 2024, duke humbur mbi 500 mijë banorë dhe duke zbritur në vetëm 2.36 milionë. Ky ritëm është më i larti në Europë, përpara Bullgarisë (-12.3%) dhe Maqedonisë së Veriut (-11.4%). Ndërkohë, vende të tjera të rajonit si Mali i Zi kanë ruajtur stabilitet demografik, ndërsa vendet e BE-së kanë rritur popullsinë falë politikave të emigracionit.
Rënia e popullsisë në Shqipëri lidhet me dy faktorë: shtesa natyrore thuajse zero dhe emigracioni masiv, i cili vetëm gjatë vitit 2024 ishte -28.800 persona. Nga fillimi i viteve ‘90, nga vendi janë larguar mesatarisht rreth gjysmë milioni njerëz çdo dekadë. Si pasojë, Shqipëria po përjeton edhe një plakje të thellë: mosha mediane ka arritur në 44.3 vjeç, nga 31.9 në vitin 2010. Kjo situatë po krijon probleme serioze në tregun e punës, rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve, ndërkohë që qeveria nuk e ka adresuar ende si prioritet emergjent.