Shqipëria po zbraset: Lindjet bien me 26% në katër vite, vendi ende pa popullsi zyrtare pas Censit 2023

Dy vite pas zhvillimit të Censit, Shqipëria nuk ka ende shifra zyrtare për popullsinë. Ndërkohë, treguesit indirektë paralajmërojnë një kolaps demografik: lindjet bien ndjeshëm, emigrimi vazhdon pa ndalesë.

Po kalojnë gati dy vite nga realizimi i Censit 2023, por Shqipëria ende nuk ka një përllogaritje zyrtare të popullsisë vjetore. Ndërkohë, tregues të tërthortë si numri i lindjeve dhe emigracioni sinjalizojnë një përkeqësim dramatik të profilit demografik të vendit.

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, në të gjithë vendin u regjistruan 4662 lindje, një rënie me 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Në harkun kohor 2021–2025, lindjet kanë rënë me 26% në rang kombëtar – një përshpejtim i fortë pas pandemisë.

Të dhënat krahasimore tregojnë se në tremujorin e parë 2019 ishin 15% më pak lindje sesa në 2011, por rënia më dramatike ka ndodhur pas vitit 2021, kulmuar në 2025.

Veriu në alarm: Kukësi dhe Dibra po zbrazen

Në zonat e Veriut, ku varfëria dhe emigracioni janë më të theksuara, situata është alarmante. Kukësi, megjithëse me një nga përqindjet më të larta të popullsisë së re, ka humbur mbi 22% të lindjeve brenda një viti, ndërsa Dibra ndjek të njëjtin trend. Këto rajone janë shndërruar në territore të zbrazura, ku largimi i të rinjve po shuan çdo potencial demografik.

Tirana: Popullsi në rritje, por lindje në rënie

Në mënyrë paradoksale, edhe Tirana po përjeton një rënie të lindjeve me 18%, duke qenë e dyta në vend për rënie në 2025, ndonëse ka një fluks të qëndrueshëm migrimi të brendshëm. Kostoja e jetesës, çmimet e larta të banesave dhe pasiguria për të ardhmen po frenojnë fertilitetin, veçanërisht te çiftet e reja urbane.

Bregdeti dhe jugu: Rënie e ngadaltë, por e qëndrueshme

Qarqet si Vlora, Gjirokastra dhe Berati shënuan ulje më të butë të lindjeve, në masën njëshifrore. Këto zona kanë përjetuar prej kohësh plakje demografike dhe emigrim masiv.

Rritje ekonomike, por jo lindje

Edhe pse ekonomia shqiptare po shënon rritje, kjo nuk po reflektohet në përmirësimin e treguesve demografikë. Përkundrazi, ka një përpjesëtim të zhdrejtë mes rritjes ekonomike dhe numrit të lindjeve.

Bonuset e fëmijëve? Simbolike përballë kostove reale

E vetmja politikë aktive për nxitjen e lindjeve – bonusi për bebet që shkon nga 40 mijë lekë për fëmijën e parë deri në 120 mijë për të tretin – mbetet larg realitetit të kostove që një familje përballon për rritjen e një fëmije.

Përfundimi është i qartë: Shqipëria po përballet me një krizë të heshtur demografike, e cila, nëse nuk trajtohet me politika të mirëfillta sociale dhe ekonomike, rrezikon të shndërrohet në një krizë të pakthyeshme të së ardhmes kombëtare./ Monitor