FLASH :

Shqipëria nxjerr dronët luftarakë Bayraktar për të monitoruar zjarret

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka njoftuar se dronët luftarakë Bayraktar TB2 të Forcës Ajrore janë angazhuar për të monitoruar nga ajri vatrat aktive të zjarrit në territorin shqiptar. Në një postim në rrjete sociale, Vengu bëri të ditur se që në orët e para të mëngjesit, dronët kanë kryer mbifluturime mbi 18 vatra zjarri, me qëllim vlerësimin e riskut dhe drejtimin e saktë të ndërhyrjeve nga toka dhe ajri.

“Ekuipazhet e helikopterëve dhe efektivët tanë në terren janë në gatishmëri për të ndërhyrë kudo në terren,” shkruan ministri, duke theksuar përkushtimin e strukturave të emergjencës dhe mbështetjen e teknologjisë ushtarake në menaxhimin e krizave natyrore. Angazhimi i dronëve Bayraktar, të njohur për përdorimin e tyre në fushëbetejë, tregon rritjen e kapaciteteve të monitorimit ajror në situata emergjente si zjarret masive që kanë përfshirë vendin gjatë kësaj vere.

Bayraktar TB2 është një dron i prodhuar në Turqi nga kompania Baykar, i cili përdoret gjerësisht për zbulim, survejim dhe sulme precize në konfliktet ushtarake. Teknologjia e tij e avancuar lejon monitorim në kohë reale nga lartësi të mëdha, çka e bën të përshtatshëm edhe për operacione civile si vëzhgimi i fatkeqësive natyrore.