FLASH :

Shqipëria nën sulm të egër kibernetik, AKSHI i pafuqishëm për të na mbrojtur

Një sulm i egër kibernetik po përhapet me shpejtësi ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët po përballen me një valë masive mesazhesh phishing përmes WhatsApp-it dhe SMS-ve. Qytetarët po marrin mesazhe të rreme që maskohen si sondazhe politike, duke i ftuar të votojnë për personazhe të caktuar, ndërsa në raste të tjera, mesazhet prezantohen si njoftime për dërgesa postare ku kërkohet klikimi i një linku për të marrë një “paketë”.

Forma edhe më të sofistikuara të mashtrimit përfshijnë mesazhe nga individë që prezantohen si oficerë të krimit kibernetik, të cilët bashkëngjisin një skedar të quajtur “CV” për të bindur viktimën të klikojë mbi të dhe të instalojë malware.

Qytetarët rrezikojnë të humbasin të dhënat e tyre personale, përfshirë aksesin në llogari bankare dhe dokumente të ndjeshme, çka përkthehet në rrezik real ekonomik dhe social.

Në këtë situatë alarmante, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e drejtuar nga Mirlinda Karçanaj, rezulton inekzistente dhe totalisht e pafuqishme për të ofruar ndihmë konkrete. Përveç një njoftimi të përgjithshëm që konfirmon “sulm në zhvillim”, nuk ka ende asnjë informacion zyrtar për origjinën e sulmit, mënyrën e përhapjes apo hapat që qytetarët duhet të ndërmarrin për të mbrojtur veten.

Thirrje për kujdes maksimal
I ftojmë të gjithë qytetarët të mos hapin linke të dyshimta dhe të mos klikojnë mbi dokumente të panjohura. Verifikoni çdo mesazh përpara se të veproni dhe raportoni çdo rast të dyshimtë tek autoritetet përkatëse – nëse këto autoritete ekzistojnë ende për të mbrojtur qytetarët.