Prej vitesh, Shqipëria po ngjitet në listën e destinacioneve më të kërkuara në Ballkan. Prej plazheve të virgjëra, maleve spektakolare e mikpritjes që ruan ende sinqeritetin e padëmtuar nga komercializmi masiv, vendi ynë po kthehet në një zbulim për europianët dhe përtej. Në vitin 2024, u regjistruan mbi 11.7 milionë turistë një rekord historik. Por pyetja që vjen natyrshëm është: a është shteti shqiptar vërtet gati për këtë fluks?
Shifra të larta dhe shpresa të mëdha, por, pasi ke parë radhët në pikat kufitare, trafikun që bllokon rrugët e jugut, mbeturinat që mbulojnë brigjet, mungesën e ujit në zonat turistike, kupton se prapa pamjeve te instagramit ka një realitet të pambështetur. Shqipëria pret një valë të madhe turistësh, por shteti është ende me këmbët në ujë dhe me sytë nga qielli.
Nëse Shqipëria është sot një emër që qarkullon në hartat turistike, kjo i detyrohet kryesisht guximit të sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm. Ata që ndërtuan bujtina nëpër fshatra, që hapën guida për hiking, që krijuan kantina vere, që rregulluan vete plazhet dhe investuan në hoteleri, shpesh pa asnjë mbështetje nga shteti. Është privatja që i ka dhënë fytyrë turizmit shqiptar.
Duke parë shembujt në rajon si organizimi turistik i Kroacisë, strukturat e mirëmenaxhuara të Greqisë, marketingu i përqendruar i Malit të Zi, Shqipëria vazhdon të mbetet në pozitën e vendit që mbijeton falë improvizimit. E pikërisht këtu lind skepticizmi legjitim: a do të vazhdojë shteti të ecë pas sektorit privat si një pasagjer i paftuar, apo do të kuptojë se ka ardhur koha të jetë partner serioz?
Turizmi nuk është vetëm numra, është cilësi, infrastrukturë dhe garanci. Shteti nuk mund të shfaqet vetëm me krenari statistikash. Aty ku turistët përballen me mungesën e ujit të pijshëm, ndotje, mungesës së sinjalistikës, apo informacione të pakta në gjuhë të huaja, aty nis të dëmtohet imazhi i vendit. Dhe ky dëm nuk ka çmim vetëm moral, por ekonomik. Po të shohim rivalët tanë në Ballkan: në Malin e Zi, një tur mesdhetar kushton mesatarisht 214 dollarë, në Kroaci rreth 202 dollarë, ndërsa në Greqi çmimet shkojnë deri në 250 dollarë për eksperienca të plota kulturore dhe bregdetare. Shqipëria ofron ture me çmime nga 92 deri në 131 dollarë pra, jemi më të lirët, por a kemi edhe shërbimet dhe standardin që mbajnë turistin?
Nëse shteti nuk investon në infrastrukturë, nuk rregullon menaxhimin e mbetjeve, nuk përmirëson furnizimin me ujë dhe energji në zonat turistike, dhe nuk ndihmon bizneset të rrisin kapacitetet e tyre, ky avantazh çmimi kthehet në një grackë. Turistët vijnë një herë, zhgënjehen dhe nuk kthehen më. Shqipëria shndërrohet në një “çudi e përkohshme”, jo në një destinacion të qëndrueshëm.
Çfarë duhet të bëjë shteti, jo nesër, por sot? Te nisim nga një Fond Kombëtar për Mbështetjen e Bizneseve Turistike. Qeveria duhet të krijojë menjëherë një fond publik me kritere të qarta për të mbështetur bizneset që kanë investuar në akomodim, guida, agroturizëm dhe turizëm të qëndrueshëm. Jo vetëm si kredi të, por si mbështetje e drejtpërdrejtë për të ndërtuar kapacitete që i mungojnë vendit: qendra informacioni, trajnime, standardizim.
Shteti duhet të ndërtojë rrugët sekondare që lidhin fshatrat me akset turistike, të vendosë sistemet e ujësjellësit e kanalizimeve në fshatra si Dhërmi, Theth, Ksamil, Spille, Velipojë, të hapë stacione të pastrimit dhe të sigurojë menaxhim të qëndrueshëm të mbetjeve urbane. Qindra bujtina, agroturizma dhe mikrobiznese operojnë jashtë radarit shtetëror. Shteti duhet t’i ndihmojë me fiskalizim të thjeshtuar, me sistem të drejtë tatimor dhe t’i përfshijë në platformat kombëtare të promovimit.
Investimet duhet të kontrollohen. Jo çdo hotel është zhvillim. Jo çdo resort në zonë të mbrojtur është progres. Lagunat si Narta apo Karavasta, deltën e Vjosës, apo Valbonën nuk mund ta dhunojmë natyrën se pastaj ky është anti-turizëm, është shkatërrim. Mali është po aq i rëndësishëm sa deti. Duhet të mbështeten guidat alpine, shtigjet, sportet natyrore, dhe turizmi i fshatit.
Ballkani është në një garë të ethshme për vëmendjen e turistëve ndërkombëtarë. Nuk mjafton më që të jemi të bukur e të lirë. Duhet të jemi të përgatitur, të rregullt, të denjë. Në këtë garë, Kroacia ka dekada investimesh të mençura pas vetes. Mali i Zi e ka ndërtuar markën e tij. Greqia s’ka nevojë të prezantohet. Shqipëria është ende “zbulimi i ri” por vetëm një herë je “zbulim”. Nëse nuk dimë të ruajmë vlerat që kemi, nëse nuk dimë të mbështesim ata që kanë ngritur këtë ekonomi mbi supet e tyre, atëherë rrezikojmë të humbasim çdo gjë.
Mund të mos kemi resorte me pesë yje si Mykonos, as sistemin e kanalizimeve të Split-it, por kemi diçka që nuk blihet: njerëzit tanë, natyrën tonë dhe historinë tonë. Ato janë kapitali ynë. Nëse nuk investojmë për t’i ruajtur dhe zhvilluar, nesër do të jemi jo vetëm të papërgatitur, por edhe të pashpresë. Turisti i 2025-ës nuk pret. Ai zgjedh. Ai kthehet atje ku gjen standard dhe respekt. Është koha që shteti shqiptar ta kuptojë se turizmi nuk është një “dhuratë” që na erdhi vetë është një përgjegjësi që nuk e mbajmë dot vetëm me fasade te bukur në Rinas.