Shqipëria luajti këtë të hënë sfidën e saj të dytë për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2026, në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë ku mposhti me rezultatin 3 me 0 Andorrën.
Në një sfidë ku trajneri Silvinjo ndryshoi plotësisht repartin e sulmit pasi duhej bërë lojë ofensive, kuqezinjtë krijonin me Brojën dhe finalizonin me Manajn, i cili tundi dy herë rrjetën në pjesën e parë. Në fraksionin e dytë të lojës, skuadra kuqezi mendoi më shumë të administronte minuta dhe goli i fundit erdhi vetëm në shtesë me Uzunin për të vulosur një sukses 3-0.
Djemtë e Sylvinhos u përballen me Andorrën, pas humbjes me Anglinë. Në këtë ndeshje, ra në sy aktivizimi i sulmuesit Armando Broja nga minuta e parë, ndërsa trajneri nuk ndryshoi prapavijën në krahasim me ndeshjen me Anglinën, por bëri një lëvizje në mesfushë, duke larguar Ramadanin për t’i bërë vend debutuesit Juljan Shehu.
Shqipëria e gjeti golin që në minutën e nëntë me Rey Manajn, i cili realizoi me kokë pas një harkimi perfekt nga e majta nga Asllani. Vetëm dhjetë minuta më vonë, Armando Broja depërtoi në zonë falë një driblimi fantastik dhe asistoi për Manajn, i cili dyfishoi epërsinë me një goditje të saktë brenda zonës, duke shënuar golin e dytë personal në këtë ndeshje.
Në pjesën e dytë, kuqezinjtë e ulën ritmin dhe administruan avantazhin, por në minutat e fundit të ndeshjes Myrto Uzuni vulosi triumfin me një devijim të saktë brenda zonës, duke vulosur shifrat në 3-0.
Me këtë fitore, Kombëtarja renditet e dyta në grupin K, pas kryesueses Anglisë, ndërkohë, Letonia pozicionohet në vendin e tretë, Serbia në të katërtin, por ka dy ndeshje për të luajtur, ndërsa Andorra renditet e fundit.
Kjo është fitorja e parë për Shqipërinë në këto Kualifikuese, pas humbjes 2-0 në ‘Ëembley’ ndaj Anglisë. Me këtë triumf, kuqezinjtë ngjiten në vendin e dytë në grup me 3 pikë, ndërsa Anglia siguroi një tjetër fitore ndaj Letonisë dhe kryeson grupin me 6 pikë. Letonia ndodhet në vendin e tretë me pikë të barabarta me Shqipërinë.
Serbia, e cila ende nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje për shkak të angazhimeve në Ligën e Kombeve, do të debutojë në këtë grup pikërisht ndaj Shqipërisë. Përballja e shumëpritur mes dy kombëtareve do të zhvillohet më 7 qershor në “Air Albania”, ku pritet një atmosferë e zjarrtë.
