Kryeministri Edi Rama duket se më në fund e gjeti zgjidhjen. Ai pretendon se AI është zgjidhja e duhur për të gjitha problemet me kadastrat, ndërkohë që edhe deri tani pritej të mos kishte asnjë korrupsion lidhur me to përmes e-Albania, gjë e cila nuk është funksionale. Kjo, sepse qytetarë të shqetësuar raportojnë çdo ditë probleme me hipotekat. Mesa duket, pasi pa që as kjo nuk po ecte, kryeministri vendosi të kthehej në një magjistar, duke nxjerrë kështu lepurin nga kapelja dhe duke i prezantuar qytetarët me Inteligjencën Artificiale – një kompjuter që do t’i zgjidhë problemet e shqiptarëve.
Në raportin e bërë nga GRECO kryeministri Rama theksoi se sipas vlerësimit, Shqipëria konsiderohet lider rajonal në politikat kundër korrupsionit, ndërsa paralajmëroi se do të ketë një tjetër dallgë reformash nga mirëqeverisja tek drejtësia.
Ai gjithashtu deklaroi se Kadastra do të digjitalizohet dhe se do të iplementohet Inteligjenca Artificiale.
“Ndërkohë që ecim me digjitalizimin e plotë të Kadastrës, falë mbështetjes së KE, do të punojmë të fusim Inteligjencën Artificiale në proceset e Kadastrës. Në sistemin e drejtësisë jemi akoma në epokën e gurit, zhvillojmë intervista në Prokurori dhe Polici pa audio dhe video.”
Jo më kot Rama po i kushton kaq vëmendje pikërisht Kadastrës, pasi, siç kemi denoncuar më parë nga ankesat e shumta që na vërshojnë nga qytetarët, ky institucion duket se mbetet një nga më të korruptuarit. Problemi nuk është teknologjia, por njerëzit që e përdorin atë për të sorollatur qytetarët, derisa këta të fundit ta humbasin durimin dhe të detyrohen të paguajnë nën dorë për të regjistruar pronat e tyre—shuma që janë të barabarta me blerjen e tyre nga e para.