FLASH :

Shqipëria, e para në botë për rënie lindshmërie nga emigracioni – OKB: Po tkurret dhe po plaket

Raporti i fundit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara ngre alarmin për të ardhmen demografike të Shqipërisë, duke e renditur vendin tonë të parin në botë për numrin e lindjeve të humbura si pasojë e emigrimit. Sipas projeksioneve të OKB-së, deri në vitin 2054 lindjet në Shqipëri pritet të përgjysmohen – nga rreth 22 mijë foshnje në vitin 2024, në vetëm 10-11 mijë në vitin 2050.

Ekspertët identifikojnë emigracionin masiv, veçanërisht të grave në moshë riprodhuese, si shkakun kryesor të kësaj rënie dramatike. Sociologia Entela Binjaku paralajmëron se pasojat do të jenë të shumëfishta: “Këto do të reflektohen në radhë të parë në tkurrjen e popullsisë së Republikës së Shqipërisë, në radhë të dytë në uljen e numrit të martesave, dhe në radhë të tretë në plakjen e popullsisë.”

Sipas OKB-së, ky fenomen prek edhe vendet e tjera të rajonit, por më fort godet ato shtete me norma të ulëta fertiliteti – ku çiftet nuk arrijnë të zëvendësojnë as veten. Ndërkohë, vende si Italia dhe Greqia përbëjnë përjashtim, pasi falë emigrantëve, po ruajnë ende një nivel të qëndrueshëm lindshmërie.

Këto parashikime hedhin dritë mbi një krizë të thellë demografike për Shqipërinë, e cila rrezikon të përballet me pasoja të pakthyeshme nëse nuk merren masa urgjente.