FLASH :

Shqipëria do të blejë armë amerikane

Pesë muaj kanë kaluar që nga 18 marsi, dita kur në Tiranë u nënshkrua një deklaratë e përbashkët për bashkëpunim në mbrojtje. Ajo ditë ishte simbolike, por tani marrëveshja po merr jetë në terren. Ministritë e Mbrojtjes së Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë nisur hapat konkretë për ta kthyer në realitet atë që deri dje ishte vetëm një dokument.

Më 18 korrik, në kryeqytetin shqiptar u mblodhën ekspertë nga të tre vendet. Takimi nuk ishte thjesht formalitet, aty u hartua një plan veprimi që do të udhëheqë bashkëpunimin në muajt e ardhshëm. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë konfirmon se një udhëzues i plotë për zbatimin e marrëveshjes është duke u përgatitur dhe pritet të miratohet nga të tre shtetet në shtator.

Dokumenti i marsit nuk kufizohet vetëm te blerja e armëve. Ai ka në bazë katër fusha themelore: forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe industrisë përkatëse; rritjen e ndërveprueshmërisë mes ushtrive përmes trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta; adresimin e kërcënimeve hibride si sulmet kibernetike dhe dezinformimi; si dhe mbështetjen e palëkundur për integrimin euro-atlantik.

Një nga idetë kryesore është ajo e blerjes së përbashkët të armëve amerikane. Në vend që secili shtet të bëjë porositë e veta, tre vendet synojnë të bëjnë një porosi të vetme, duke përfituar çmime më të ulëta dhe afate më të shpejta dorëzimi. Secili do të paguajë pjesën e vet, por procesi i prokurimit do të jetë i koordinuar.

Bashkëpunimi përfshin edhe stërvitje të përbashkëta dypalëshe e tripalëshe, shkëmbim kuadrosh në akademitë ushtarake, rekrutim të përbashkët të personelit dhe koordinim në fushën e inteligjencës. Synimi është krijimi i një rrjeti të fortë bashkëpunimi, i aftë të përgjigjet jo vetëm ndaj rreziqeve të dukshme, por edhe atyre të padukshme nga sulmet kibernetike te fushatat e dezinformimit.

Kroacia ka bërë të ditur se nisma mbetet e hapur edhe për vende të tjera që duan të kontribuojnë në objektivat e përbashkëta, veçanërisht në mbështetje të integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe Shqipërisë. Megjithatë, të tre vendet theksojnë se kjo nuk është një aleancë e re ushtarake jashtë NATO-s, por një plotësim i saj.

Në qershor, gjatë një vizite në SHBA, ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, prezantoi marrëveshjen në Pentagon, ku ajo u mirëprit si një hap pozitiv drejt bashkëpunimit rajonal. Ndërkohë, Serbia e ka kundërshtuar hapur, duke e cilësuar si provokim dhe duke kërkuar shpjegime për qëllimet e saj.