FLASH :

Shqipëria digjet, Mirlinda e AKSHI-t hap tenderin prej 2.57 milionë euro

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka shpallur tenderin prej 2.57 milionë euro për ngritjen e ACRIS (Albanian Current Research Information System), një platformë kombëtare dixhitale që synon të menaxhojë titujt akademikë, gradat shkencore, projektet kërkimore dhe botimet shkencore në Shqipëri. Kontrata, me vlerë 250 milionë lekë pa TVSH, parashikon 166.6 milionë lekë për ndërtimin e sistemit dhe 83.3 milionë lekë për mirëmbajtjen e tij për 24 muaj pas përfundimit të implementimit, i cili pritet të zgjasë 9 muaj.

Qeveria shqiptare ka vendosur të shpenzojë 2.57 milionë euro për ngritjen e një sistemi elektronik për shkencëtarët shqiptarë që nuk ekzistojnë. Ironia? Shqipëria nuk ka bërë asnjë shpikje shkencore. Laboratorët janë bosh, institutet kërkimore funksionojnë me fonde qesharake dhe pjesa më e madhe e mendjeve të ndritura kanë ikur prej vitesh jashtë vendit. Platforma ACRIS, që do të ndërtohet me mirëmbajë për tre vjet, pretendon se do të ketë integrime moderne, raporte statistikore dhe vetëdeklarim online për studiuesit. Por, në realitet, ajo rrezikon të jetë thjesht një “kartotekë” dixhitale e boshatisur, një fasadë teknologjike për të justifikuar shpenzime marramendëse.

Ndërkohë në terren ka mësues dhe pedagogë me paga minimale që luftojnë për mbijetesë, sidomos nëpër fshatra e provinca. Spitalet rajonale nuk kanë pajisje bazike diagnostikuese. Fshatra të tëra vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike. Studentët largohen masivisht drejt universiteteve jashtë vendit.Në vend që të investojë në rikthimin e trurit shqiptar dhe krijimin e kushteve për kërkim real shkencor, qeveria zgjedh të ngrejë një “vitrinë” elektronike për të menaxhuar diçka që nuk ekziston.

Ky projekt është shembulli i pastër i asaj që ekonomistët e quajnë politikë vitrinash shpenzime të mëdha për dukje, ndërsa problemet reale mbeten të pazgjidhura. Pyetja që mbetet është: kush do t’i mbushë këto regjistra dixhitalë, kur laboratorët janë bosh dhe kërkimet shkencore janë pothuajse të vdekura?