Raporti i fundit i Indeksit Global të Paqes (GPI) 2025, i publikuar nga Instituti për Ekonominë dhe Paqen (IEP), tregon se Shqipëria ka humbur terren në renditjen botërore të vendeve më paqësore, duke shënuar një rënie si në pikëzim, ashtu edhe në klasifikim krahasuar me vitin e kaluar.
Sipas të dhënave, vendi ynë renditet këtë vit në vendin e 52-të nga 163 shtete të analizuar, ndërsa vjet mbante një pozicion më të lartë. Në hartën globale Shqipëria paraqitet me ngjyrë blu të hapur, që tregon se mbetet pjesë e vendeve me nivel relativisht të lartë paqeje, pavarësisht rënies së lehtë.
Në total, Shqipëria ka grumbulluar 1.812 pikë, një përkeqësim minimal nga 1.809 pikë të një viti më parë. Sipas metodologjisë së GPI, sa më afër pikës 1 të jetë një vend, aq më paqësor konsiderohet ai.
Si qëndron Shqipëria krahas rajonit?
Në krahasim me fqinjët ballkanikë, Shqipëria pozicionohet e treta. Më mirë renditet Mali i Zi, i cili zë vendin e 34-t, dhe Maqedonia e Veriut në vend të 51-të. Pas Shqipërisë renditen Bosnje-Hercegovina (59), Kosova (63) dhe Serbia (64). Vlen të theksohet se Kosova ka rënë me tre pozicione krahasuar me vitin e kaluar.
Në nivel europian, Shqipëria renditet e 28-ta nga 36 vende. Megjithatë, ajo qëndron më mirë se disa shtete si Qiproja dhe Franca. Ndërkohë, vendin e parë në Europë dhe botë e mban sërish Islanda, me një pikëzim mbresëlënës prej 1.095 pikësh.
Si matet ky indeks? Ky është edicioni i 19-të i raportit vjetor, i cili vlerëson nivelin e paqes nëpërmjet tre shtyllave kryesore:
- Siguria shoqërore
- Shtrirja e konflikteve të brendshme dhe ndërkombëtare
- Shkalla e militarizimit
Këto kategori analizohen përmes 23 treguesve të tillë si: shkalla e vrasjeve, terrorizmi, krimet, shpenzimet ushtarake, marrëdhëniet me vendet fqinje, stabiliteti politik dhe demonstratat e dhunshme.
Performanca e Shqipërisë sipas kategorive:
• Konfliktet e brendshme dhe ndërkombëtare: 1.403 pikë
• Siguria shoqërore: 2.038 pikë (vlerësimi më i dobët)
• Militarizimi: 2.021 pikë, me përkeqësimin më të ndjeshëm këtë vit.
Ky raport thekson nevojën për përmirësimin e sigurisë publike, reduktimin e faktorëve të pasigurisë dhe forcimin e stabilitetit social, për të ruajtur dhe rritur imazhin e Shqipërisë si një vend paqësor në rajon dhe më gjerë.

