FLASH :

Shqipëri–Serbi, ndeshja që mban frymën pezull: Provokime, tensione dhe përgatitje për duelin e madh

Nesër luhet ndeshja që gjithë shqiptarët e presin me emocione dhe vëmendje të jashtëzakonshme: Shqipëri–Serbi, një përballje që nuk është thjesht sportive, por ngarkuar me simbolikë historike dhe tension politik. Në prag të këtij takimi të zjarrtë, zhvillimet jashtë fushës kanë qenë po aq të forta sa edhe përgatitjet në fushën e lojës.

Përfaqësuesja serbe ka zbarkuar në Tiranë dhe është akomoduar në një hotel të sigurisë së lartë, ku pritet të qëndrojë deri në ditën e ndeshjes. Sipas mediave serbe, skuadra ka programuar një seancë stërvitore të mbyllur për publikun dhe median, ndërsa forcat e sigurisë shqiptare janë në gatishmëri të lartë për të garantuar rendin dhe për të shmangur çdo incident.

Por ajo që ka ndezur më shumë opinionin publik është një video e publikuar nga media serbe “Kurir”, e cila ka filmuar fshehurazi stërvitjen e kombëtares shqiptare në Tiranë, duke e cilësuar si “eksclusive” dhe duke u mburrur për “spiunazhin” e saj. Ky veprim është konsideruar si provokim i pastër dhe ka ngjallur zemërim në rrjetet sociale dhe opinionin sportiv shqiptar.

Nga ana tjetër, trajneri i Shqipërisë, Sylvinho, është duke përgatitur formacionin titullar me disa dilema në balotazh. Sipas raportimeve, sulmuesi Armando Broja pritet të jetë titullar, ndërsa në mesfushë dhe mbrojtje ende nuk janë marrë vendimet përfundimtare. Kombëtarja ka zhvilluar seanca intensive në Tiranë, duke punuar fort për të qenë gati për sfidën e nesërme.

Ndërkohë, edhe politika nuk ka qëndruar jashtë kësaj përballjeje. Mediat britanike si The Independent e kanë quajtur këtë takim një ndeshje me tensione politike, duke vënë në dukje se presidenti serb Aleksandar Vuçiç i ka “hedhur benzinë zjarrit” me deklarata nxitëse që vetëm sa e përkeqësojnë klimën. Përballja Shqipëri–Serbi nuk është thjesht një lojë – është një sfidë që luhet në shumë nivele: sportive, simbolike dhe politike.

Ndeshja pritet të zhvillohet nën masa të rrepta sigurie dhe me një interes të jashtëzakonshëm mediatik dhe popullor. Tifozët janë të ngazëllyer, autoritetet janë në alarm, dhe kombëtarja kërkon vetëm një gjë: fitoren që do të kishte jehonë përtej fushës së lojës.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i Serbisë (në bulevardin “Gjergj Fishta”) deri në stadiumin “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, do të ketë kufizime të pjesshme në këto orare:
Pasditen e sotme, në orën 16:30, gjatë eskortimit të ekipit për në stërvitje;
Ditën e nesërme, në orën 18:45, për zhvillimin e ndeshjes.
Kufizimet do të jenë të përkohshme, me një kohëzgjatje deri në 25 minuta, vetëm në momentin e lëvizjes së eskortës së ekipit.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është angazhuar maksimalisht për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe shmangien e çdo incidenti. Apelohet për mirëkuptim dhe bashkëpunim nga qytetarët, si dhe për respektim të udhëzimeve të forcave të rendit në terren.
“Çdo sjellje që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet me tolerancë zero dhe në përputhje me ligjin”, thote policia.