FLASH :

Shqipëri-Serbi / Ejupi: Atje nuk është problem i madh sa e bëjmë ne në Kosovë

Ndeshja e sotme mes Shqipërisë dhe Serbisë, një sfidë për eliminatoret e Botërorit 2026, do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania” në orën 20:45 dhe pritet me shumë kureshtje nga të gjithë. Ky takim është diskutuar shumë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku i pranishëm në një emision të “Kanal 10” ishte ish-presidenti i klubit të futbollit të Prishtinës, biznesmeni Remzi Ejupi.

Në këtë intervistë, Ejupi shprehu besimin e tij se Shqipëria do të dalë fituese, duke mos pritur ndonjë problem të madh gjatë ndeshjes. Ai gjithashtu theksoi se kjo ndeshje po diskutohet më shumë në Kosovë sesa në Shqipëri, pasi, sipas tij, shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk e shohin ndeshjen si një problem të madh.

Ejupi kujtoi se pas Luftës së Dytë Botërore, Kombëtarja e Shqipërisë kishte pasur një trajner serb, Lubisha Broçiç, dhe këtë moment ai e vlerësoi si një mundësi për të fituar tre pikët e rëndësishme. “Unë jam i bindur se Shqipëria do të marrë tri pikë, pasi Serbia nuk ka një gjendje të mirë momentalisht”, tha ai.

Ai gjithashtu paralajmëroi se nuk duhet të ketë provokime gjatë ndeshjes, pasi çdo provokim mund të destabilizojë situatën dhe të shkaktojë dëme për Shqipërinë. “Tensionet do të jenë të larta, por nuk duhet të bie në provokime, sepse kjo mund të destabilizojë ndeshjen dhe të ndihmojë lojtarët serbë”, shtoi Ejupi. Ai kërkoi që të gjithë të kenë kujdes dhe të tregojnë përmbajtje, duke pasur parasysh që Shqipëria është në periudhën e sezonit turistik dhe çdo incident mund të ndikojë edhe në ekonominë e vendit.

“Shqipëria duhet të dëshmojë përmbajtje, sepse kjo jo vetëm që ndikon në sport, por do të ndikonte edhe në ekonominë e vendit, pasi Shqipëria është përballë sezonit të turizmit. Për këtë, duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien në provokime”, tha ai.