FLASH :

Shpopullimi, fshati dhe bujqësia

Nga Maksi Çami

Në një Shqipëri që po synon integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik, fshati shqiptar është duke u zbrazur me ritme të frikshme, ndërsa bujqësia, një nga sektorët më të rëndësishëm për ekonominë dhe ushqimin e vendit po zbehet dita ditës. Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi bujqësor ka shënuar një rënie prej 2.6% krahasuar me një vit më parë, ndërsa sektori i blegtorisë është në prag kolapsi me gjysmën e tufave të shkatërruara.
Goditjen më të rëndë e ka marrë fermeri i vogël shtylla e bujqësisë shqiptare. Atyre u është vendosur një barrë e rëndë fiskalizimi, pa ofruar asnjë mbështetje të strukturuar. Në vend që të subvencionohen dhe fuqizohen, këta fermerë përballen me konkurrencën e padrejtë të aktorëve të mëdhenj që operojnë me standarde të BE-së dhe janë përfitues të granteve europiane. Ndërkohë, prodhuesit vendas marrin vetëm kredi sovrane, shpesh të papërballueshme dhe pa mbrojtje reale financiare.
Një simbol i qartë i kësaj situate është çmimi i qumështit: në Gjermani, një litër kushton rreth 1 euro, ndërsa në Shqipëri, çmimi i tij arrin deri në 1.7 euro. Ky paradoks është pasojë e një tregu të monopolizuar, ku prodhuesit e mëdhenj përcaktojnë çmimet dhe kontrollojnë zinxhirin e shpërndarjes. Kjo ndodh ndërsa fermerët e vegjël, që përbëjnë rreth 90% të prodhimit kombëtar, po përjashtohen sistematikisht nga tregu. Por çështja është a mundet kjo industri (që në fakt, turp ta quajmë kështu) të ringjallet nga prag-vdekja? E si të ringjallet kur të gjithë po ikin?
Në shumë zona rurale, tabloja është dramatike. Shkolla të mbyllura, qendra shëndetësore të rrënuara, rrugë të paasfaltuara dhe toka të lëna djerrë. Institucionet dikur themelore për zhvillimin e bujqësisë si Instituti i Studimeve të Tokës, Zooteknika, Veterinaria apo qendrat e transferimit të teknologjisë janë shuar pa zë. Fermeri shqiptar është sot i vetmuar, i paorientuar dhe i pambështetur. Raste si ai i fshatit “Pusi i Thatë” në Has, ku banori i fundit është larguar vitin e kaluar, janë një kambanë alarmi për shpopullimin masiv të Shqipërisë së thellë. Banesat kthehen në gërmadha, ndërsa jeta largohet bashkë me njerëzit.
Rënia e bujqësisë dhe shkatërrimi i fshatit nuk janë vetëm problem social janë edhe humbje të mëdha ekonomike. Kur prodhimi vendas bie, edhe fondet evropiane që ndahen sipas kuotave të prodhimit dhe numrit të fermave zvogëlohen ndjeshëm. Shqipëria rrezikon në negociatat me BE-në: së pari nga vetëdëmtimi i prodhimit të brendshëm, dhe së dyti nga pakësimi i mbështetjes evropiane.
Duket se nuk ka as shpresë për ta ndalur këtë tragjedi socio-ekonomike. Ekspertët e sektorit bujqësor dhe zërat e shoqërisë civile ngrenë disa kërkesa emergjente. Subvencionim direkt dhe mbrojtje për fermerin familjar. Rindërtimi i institucioneve kërkimore dhe teknologjike në shërbim të bujqësisë. Investime të menjëhershme në infrastrukturën rurale. Nxitje për të rinjtë që të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetë në fshat, përmes mbështetjes për startup-e agrare dhe agroturizëm. Pa këto ndërhyrje, rrezikojmë jo vetëm ekonominë rurale, por edhe identitetin tonë kombëkapitalin social aty, të lidhur ngushtësisht me fshatin, tokën dhe prodhimin e vet.
Ne si Shqiptarë na ka mbetur të qajmë “të vdekurin” ende pa u tretur. Se ja përshembull, kush do ta bëjë ndryshimin, ai qeveritar që i shpopulloi në 12 vite? Apo ai tjetri që i bëri pronat tokat dhe fermat çorap që nga 92-shi?