FLASH :

Shpëtohen turistët që ngecën nëpër shkëmbinj natën në Jalë

Shërbimet e Policisë së Himarës i vijnë në ndihmë 3 turistëve të huaj, të bllokuar në zonën e plazhit të Akuariumit.

Krahas detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, shërbimet e Policisë mbeten të angazhuara edhe për të ndërhyrë dhe për t’iu ardhur në ndihmë çdo qytetari apo turisti në raste emergjente. Mbrëmjen e sotme, patrulla e rendit me shërbim në zonën e Jalës, pas një njoftimi se tre turistë të huaj kishin mbetur të bllokuar në një zonë të thepisur shkëmbore, në plazhin e Akuariumit, ndërhyri duke shkuar menjëherë në vendin ku kërkohej ndihmë.

Pas kërkimeve në terren, u bë e mundur lokalizimi i tre turistëve të huaj, të cilët u nxorën prej shkëmbinjve ku kishin mbetur të bllokuar. Aktualisht, të tre ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.

Turistët falënderuan shërbimet e Policisë për ndihmën e menjëhershme dhe profesionalizmin e treguar..