Kandidatja e Primareve të Partisë Demokratike në Elbasan, Alesia Balliu, ka shpërthyer në akuza të forta ndaj lidershipit aktual të partisë, duke kritikuar ashpër drejtimin e Sali Berishës dhe figurat që ai ka përzgjedhur në garën për primaret.
Në një deklaratë publike, Balliu e cilësoi Partinë Demokratike si forcën e dytë më të madhe politike në vend, që sipas saj ka një detyrim moral dhe politik ndaj demokratëve, por që aktualisht po udhëhiqet nga një logjikë personale dhe familjare.
“Sot Sali Berisha po u thotë demokratëve: hani bar, ju lutem, sepse unë kam hallin tim dhe hallin e fëmijëve të mi,” u shpreh Balliu me tone të ashpra.
Ajo ngriti pikëpyetje serioze mbi përfaqësimin aktual të demokratëve në primare, duke e konsideruar pjesën më të madhe të kandidatëve si besnikë personalë të Berishës, të cilët, sipas saj, nuk gëzojnë mbështetje popullore.
“Hiq zonjën Tabaku, Bardh Spahinë dhe ndoshta dy të tjerë, pjesa tjetër nuk ka vota. Janë kandidatë në lista të mbyllura, që po t’u shohësh peshën elektorale në lista të hapura, nuk marrin as 1000 vota,” theksoi Balliu.
Ajo mbylli deklaratën me një thirrje për reflektim brenda strukturave të partisë, duke pyetur nëse PD do të zgjohet dhe reagojë, apo do të mbetet një parti me “dele” që ndjek verbërisht interesat e një individi. “A do të zgjohet kjo parti, a do të reagoj kjo parti apo ka vetëm dele?”