FLASH :

SHOW I RRADHËS! Rama kërcënon arkitektët vendas se do t’ua heqë punën, për t’ua dhënë Boerit të kullave “monstër” në qendër të Tiranës

Nga një skenë e zakonshme propagande ndërtimi, Kryeministri Edi Rama u shndërrua befas në akuzuesin e arkitektëve shqiptarë, duke paralajmëruar se do të përballen me pasoja ligjore nëse projektet e tyre ndryshojnë gjatë zbatimit. “Jo për të marrë lejen dhe pastaj të mos njohësh më projektin tënd,” u shpreh ai, duke vënë gishtin mbi një plagë të vjetër të urbanistikës shqiptare: zhdukjen e autorit sapo nisin punimet.

Por ky nuk është incidenti i parë. Rama ka ndjekur të njëjtën skemë me ndërtuesit: i kërcënoi publikisht për kate pa leje, premtoi sekuestrime të ashpra, dhe më pas nxori një vendim qeverie që ua njihte ndërtimet në këmbim të gjobave. E njëjta logjikë po ndjeket tani edhe me arkitektët: fillimisht trembja, pastaj përjashtimi, për t’ua hapur rrugën “të përzgjedhurve”.

Në këtë rast, Rama nuk është i shqetësuar për shtesat apo devijimet teknike të zbatuesve, por për të hequr nga loja arkitektët e vegjël vendas, që ai i konsideron të pavlefshëm, për t’ia dhënë terrenin emrave të mëdhenj ndërkombëtarë. Më të përfolurit janë grupi italian i Cino Zucchi (të cilin Lubonja e përmendi me emër si simbol i klientelizmit të shtrenjtë urbanistik) dhe Stefano Boeri, arkitekti i preferuar i kryeministrit, që ka firmosur projekte emblemë si piramida e re dhe plani për Durrësin.

Rama u shpreh i revoltuar se “projekti ndryshon në volum”, duke pranuar se shpesh ajo që ndërtohet s’ka lidhje me atë që është miratuar. Madje, në një pasazh interesant, ai pranoi me gojën e tij: “gjëja shkon në drejtim të paditur në një pjesë shumë të madhe të rasteve.” Pyetja që lind është: kush i ka dhënë drejtim të paditur ndërtimit në Shqipëri gjatë gjithë këtyre viteve në pushtet?

Ai nuk thotë asnjë fjalë për komisionet që miratojnë lejet, për bashkitë që japin “ok” për zbatimin, apo për tolerimin sistematik që e ka kthyer lejen e ndërtimit në një dokument formal që zhbëhet sapo fillon kantieri. Kur leja bëhet pre e korrupsionit dhe shteti është vetë palë në devijim, është e lehtë të fajësosh vetëm arkitektin që nuk ka pushtet vendimmarrës.

Një tjetër detaj interesant në fjalën e Ramës është përmendja e “kleringut”, si një formë financimi që sipas tij “ishte e pranueshme për një kohë, por sot nuk duhet të ekzistojë.” Kjo është ndoshta pranimi më i heshtur që shteti ka toleruar ndërtime të tëra në shkëmbim apartamentesh dhe jo me kapital të pastër financiar, duke minuar seriozitetin e tregut dhe cilësinë e projekteve.

Dhe kur Rama thotë se ndërtuesit duhet të kenë vetëdije për të aksesuar tregje financiare të reja, harron se kjo vetëdije nuk vjen nga moralizime publike, por nga rregulla të barabarta, kontroll real në terren dhe penalizime të vërteta, jo thjesht ligje që nuk zbatohen.

Në fund të ditës, Edi Rama ka të drejtë kur thotë se Shqipëria ka ndërtime që nuk ngjajnë me projektin. Por fajin nuk e kanë vetëm arkitektët. E kanë ata që firmosin, heshtin dhe pastaj çuditen kur qytetet mbushen me objekte pa identitet dhe rrugë pa dritë. Dhe ndonjëherë, fajin e kanë ata që duan të duken si arkitektë, pa qenë as përgjegjës, as ndërtues, thjesht ndarës tenderësh dhe seleksionues estetike në funksion të klientelës së radhës.