Një situatë alarmante po ndodh çdo ditë në rrugët e Beratit, ku furgoni i linjës Berat–Poliçan qarkullon i mbushur me pasagjerë, por me derën anësore të hapur dhe shpeshherë duke mos respektuar as korsinë e duhur të qarkullimit. Çdo ditë rreth orës 12:00, ky furgon niset drejt Poliçanit i tejmbushur, mes tyre edhe nxënës të shumtë që këtë javë kanë nisur vitin e ri shkollor, duke e bërë rrezikun edhe më të madh.
Qytetarët që e shohin përditë këtë situatë thonë se siguria është “zero”. Mungesa e respektimit të rregullave rrugore dhe fakti që furgoni lëviz me derën hapur përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për jetën e udhëtarëve. Një frenim i papritur apo një kthesë e fortë mjafton që kjo papërgjegjshmëri të shndërrohet në tragjedi.
“Furgoni ecën gjithmonë me nxënës brenda, me derën hapur dhe shpesh del edhe nga korsia e duhur. Është çështje kohe që të ndodhë një incident i rëndë,” shprehet një qytetar i shqetësuar.
Apeli i tyre shkon për Policinë e Shtetit dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, të cilat kërkohet të ndërhyjnë menjëherë. Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit dhe shpërfillja e sigurisë së qytetarëve po kthehet në një rrezik të përditshëm, veçanërisht për fëmijët.