Mbi 20 anëtarë të tre familjeve të komunitetit rom që prej më shumë se një muaji janë pa strehë, për shkak të një zjarri që shkrumboi 3 kontenierë në qendrën e komunitetit rom të lagjes Skënderbeg në Shkodër.
Ata thonë se ende nuk është marrë asnjë masë për të lëvizur kontenierët e shkrumbuar nga vendi. Më tej shprehen se po flenë jashtë dhe askush nga institucionet nuk ka marrë masa për të zgjidhur situatën, teksa premtimet janë të shumta.
Dhe pse ka kaluar rreth 1 muaj e gjysmë nga zjarri që shkrumboi 3 kontenierë në qendrën e komunitetit rom në lagjen ‘Skënderbeg’ në Shkodër, situata vijon të jetë e njëjtë.
Kontenierët e shkrumbuar nuk janë lëvizur nga zona dhe ende nuk është ndërhyrë për riparimin e tyre. Flamur Shahini, një banor i kësaj lagje, i paralizuar, thotë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë dhe po banojnë në kontenierë të komshinjve.
Ndërkohë një tjetër banore e zonës tregon se janë detyruar të flenë jashtë dhe se nuk janë marrë masa. Ata thonë se premtimet për t’i dhënë zgjidhje situatës kanë qenë të shumta.
Mbi 20 anëtarët e 3 familjeve që iu dogjën banesat kërkojnë ndërhyrje nga pushteti lokal.