Pavarësisht mungesës së një konsensusi shkencor, debati për ekzistencën e shpirtit njerëzor po merr një kthesë të re. Katër shkencëtarë të njohur nga fusha të ndryshme – neurologji, psikologji, filozofi dhe psikiatri – pohojnë se ka prova bindëse që sugjerojnë se njeriu nuk përbëhet vetëm nga trupi dhe truri, por mban brenda vetes një entitet jo-material: shpirtin.
1. Dr. Mario Beauregard: Përvoja mistike se shpjegon vetëm truri
Neuroshkencëtari Mario Beauregard nga Universiteti i Arizonës është autor i librit Truri Spiritual, ku argumenton se përvojat shpirtërore nuk mund të shpjegohen vetëm nga aktiviteti neurologjik. Në një studim me murgesha të urdhrit Karmelit, të cilave u kërkoi të përjetonin momente mistike gjatë skanimeve MRI, u vu re aktivizim në mbi një duzinë zonash të trurit, përfshirë bërthamën caudate – një strukturë e lidhur me ndjesinë e lumturisë. Për Beauregard, këto të dhëna tregojnë se përvoja fetare nuk buron vetëm nga proceset kimike në tru, por ndoshta nga diçka më shumë – shpirti.
2. Prof. Charles Tart: Eksperimentet për jetën pas vdekjes
Psikologu Charles Tart, i njohur për punën e tij pionere në përjetimet jashtë trupit dhe afër-vdekjes, zhvilloi eksperimente që sfidojnë besimin tradicional shkencor. Në një prej tyre në vitin 1968, një subjekt nën monitorim EEG deklaroi se pa një numër të fshehur mbi një raft – gjatë një gjendjeje të përjetuar si “dalje nga trupi”. Tart besonte se këto përvoja sugjerojnë ekzistencën e shpirtit si një entitet i ndarë nga trupi fizik, dhe i konsideronte këto kërkime si thelbësore për të kuptuar natyrën njerëzore përtej kufijve fizikë.
3. Prof. Thomas Nagel: Ndërgjegjja nuk është fizike
Filozofi Thomas Nagel nga Universiteti i Nju Jorkut argumenton se ndërgjegjja njerëzore nuk mund të shpjegohet vetëm përmes fizikës dhe evolucionit darvinian. Ai promovon idenë e “panpsikizmit” – sipas së cilës edhe objektet jo të gjalla kanë elementë të ndërgjegjës. Për Nagel, prania e vetëdijes implikon që rendi natyror është më kompleks se çfarë përshkruajnë shkencat fizike, duke përforcuar tezën se diçka jo-materiale – ndoshta shpirti – është pjesë përbërëse e jetës.
4. Dr. Jeffrey Schwartz: Vullneti është më i fortë se truri
Psikiatri amerikan Jeffrey Schwartz argumenton se njerëzit nuk janë thjesht përbërje e trupit dhe trurit. Në studimet e tij mbi neuroplasticitetin, ai ka treguar se individët mund të ndryshojnë strukturën e trurit përmes fuqisë së vullnetit. Në librin e tij Brain Lock, Schwartz argumenton se ekziston një ndarje mes trurit dhe mendjes: truri mund të gjenerojë mendime të padëshiruara, por mendja – apo shpirti – ka fuqinë për t’i kundërshtuar ato. Kjo ide sfidon pikëpamjen materialiste që çdo gjë ndodh vetëm në nivel biologjik.
Kundërargumenti: Rasti i Phineas Gage
Megjithatë, kritikët e idesë së shpirtit si entitet i ndarë nga trupi, si filozofi David Kyle Johnson, sjellin raste si ai i Phineas Gage. Pasi një hekur i shpërtheu kafkën në vitin 1848, personaliteti i Gage ndryshoi krejtësisht – diçka që sipas Johnson sfidon idenë e një shpirti të pandryshueshëm. Ai argumenton se shkenca moderne e trurit tashmë ka shpjeguar të gjitha funksionet që dikur i atribuoheshin shpirtit: emocionet, kujtimet, personalitetin – duke lënë pak vend për ekzistencën e tij.
Megjithatë, për një pjesë të madhe të njerëzve, përfshirë 83% të amerikanëve sipas një sondazhi të Pew Research, shpirti është më shumë se një çështje debati – është besim, përvojë, dhe ndoshta realitet. Dhe ndërsa shkenca vazhdon të eksplorojë kufijtë e ndërgjegjes, pyetja se kush jemi vërtet mund të mbetet ende pa një përgjigje përfundimtare.