FLASH :

Shkencëtarët të habitur nga sjellja e pazakontë e orkave: u dhurojnë njerëzve “dhurata” në akte të rastësishme “mirësie”

Një sjellje e habitshme dhe e paprecedentë po mahnit shkencëtarët në mbarë botën: orka të egra janë parë duke u afruar te njerëzit dhe duke u ofruar atyre “dhurata”, në akte të cilësuara si “mirësi të paarsyeshme”. Nga fiordet e akullta të Norvegjisë deri në ujërat e Zelandës së Re, orkat kanë notuar drejt varkave ose njerëzve në breg, duke mbajtur ndër nofulla oferta të çuditshme si peshq, zogj, raja, copa mishi dhe madje, në një rast, një breshkë.

Sjellja është regjistruar në 34 raste të veçanta, që përfshijnë gjashtë popullata të ndryshme orkash, dhe sipas studiuesve, duket të jetë e qëllimshme dhe e qëndrueshme në mënyrën si ndodh. Pasi lënë “dhuratën” pranë njerëzve, orkat shpesh qëndrojnë aty afër, sikur të prisnin një reagim – një sjellje që shkencëtarët e krahasojnë me macet shtëpiake që sjellin minj të ngordhur te pronari.

Në disa raste, njerëzit që morën dhuratat mbetën të habitur, i kontrolluan shkurt dhe i hodhën mbrapsht – vetëm që orka t’i rikthente sërish. Gjetjet janë publikuar në revistën “Journal of Comparative Psychology”, dhe kanë ngjallur diskutime të shumta në komunitetin shkencor.

“Nuk e dimë nëse këto raste kishin një qëllim përfundimtar apo jo,” – shkruajnë studiuesit e udhëhequr nga Jared Towers i “California Killer Whale Project”. – “Por dihet që orkat në robëri ndonjëherë përdorin prenë e ngordhur për të joshur specie të tjera dhe më pas t’i sulmojnë – megjithëse jo gjithmonë për t’i ngrënë.”

Edhe pse legjendat e lashta shpesh përshkruajnë kafshë që ndihmojnë njerëzit – si ujku që rriti Romulin dhe Remusin apo majmunët që shpëtojnë fëmijë nëpër xhungla – në realitetin shkencor modern, prova të tilla janë shumë të rralla.

Një teori e mundshme është ajo e “altruizmit të përgjithshëm ndërspeciesor”, që do të thotë mirësi pa pritur shpërblim. Sipas këtij interpretimi, orkat mund të ofrojnë pjesë të prenës si shenjë miqësie ose për të krijuar një lidhje sociale me njerëzit.

Megjithatë, studiuesit nuk përjashtojnë mundësinë që kjo sjellje të ketë motive më strategjike. Në robëri, është parë që orkat përdorin prenë për të joshur zogjtë dhe më pas t’i sulmojnë. Por në të gjitha këto raste në natyrë, nuk ka pasur asnjë shenjë agresioni ndaj njerëzve – dhe historikisht, asnjë orkë e egër nuk është raportuar të ketë vrarë ndonjëherë një person.

Megjithatë, studiuesit bëjnë thirrje për kujdes, duke theksuar se orkat janë grabitqarë që peshojnë pesë tonë dhe kanë një tru dyfish më të madh se njeriu, dhe sjellja e tyre komplekse ende nuk kuptohet plotësisht.

Sipas autorëve të studimit, shpjegimi më i besueshëm është se ky dhurim është një formë kurioziteti natyror të orkave dhe përpjekje për të kuptuar njerëzit. “Kjo mund të jetë një nga rastet e para të një grabitqari të egër që përdor qëllimisht prenë për të eksploruar sjelljen njerëzore,” shkruan Towers dhe ekipi i tij.

Në 33 nga 34 rastet, orkat kanë pritur një reagim njerëzor pas “dhuratës”. Kjo i çon studiuesit në përfundimin se ky veprim mund të jetë një mënyrë për orkat që të ushtrojnë sjellje kulturore të mësuara, të eksplorojnë, të luajnë, dhe ndoshta të krijojnë marrëdhënie me njerëzit.

Këto zbulime vijnë pas një tjetër ngjarjeje të pazakontë, kur dy orka u filmuan në një skenë që ngjante me “puthje franceze”, duke kafshuar butësisht gjuhët e njëra-tjetrës për gati dy minuta, përpara se të notonin larg.

Pamjet u regjistruan nga një grup turistësh gjatë një udhëtimi për zhytje në fiordet Kvænangen të Norvegjisë, rreth 110 kilometra në verilindje të Tromsø. Në një artikull të publikuar në revistën Oceans, shkencëtarët përshkruajnë këtë sjellje si “kapje të gjuhës” (tongue nibbling) – një veprim i njohur vetëm te orkat në robëri, por kurrë më parë i parë në natyrë.

Ndërsa studiuesit nuk kanë ende një shpjegim të qartë, ata dyshojnë se mund të jetë një formë lidhjeje sociale ose lojë midis këtyre kafshëve të jashtëzakonshme për nga inteligjenca.