FLASH :

Shkencëtarët paralajmërojnë: Plastika, një kërcënim i rëndë për shëndetin

Ndotja nga plastika përbën një rrezik serioz, në rritje dhe të shpërfillur për shëndetin e njeriut. Paralajmërimi vjen nga një grup ndërkombëtar shkencëtarësh dhe mjekësh pak ditë para një konference të Kombeve të Bashkuara për një marrëveshje globale mbi plastikën.

Në një artikull të publikuar në The Lancet, 27 ekspertë të shëndetit raportojnë se plastika shkakton sëmundje në çdo fazë të ciklit të jetës së saj dhe në çdo fazë të jetës së njeriut, me foshnjat dhe fëmijët e vegjël si më të ndjeshmit ndaj dëmeve.

“Ndikimi i plastikës në shëndetin njerëzor ka qenë një çështje e heshtur krahasuar me ndryshimet klimatike apo ndotjen e ajrit, por tani po dalin prova që tregojnë se sa serioz është”, tha autori kryesor i raportit, Philip Landrigan, drejtor i Observatorit Global për Shëndetin e Planetit në Boston College.

Delegatë nga 170 vende pritet të takohen këtë javë në Zvicër për të rifilluar negociatat mbi një traktat global, pasi raundi i fundit i bisedimeve dështoi në Korenë e Jugut në dhjetor. Dështimi erdhi pasi vendet prodhuese të karburanteve fosile kundërshtuan përpjekjet e mbi 100 shteteve për të kufizuar prodhimin e plastikës së re.

Landrigan u bëri thirrje diplomatëve në Gjenevë të vendosin bashkëpunim të vërtetë ndërkombëtar përballë kësaj krize globale. Shëndeti pritet të jetë një nga temat kryesore në negociatat e kësaj jave. Gjatë bisedimeve në Korenë e Jugut, 94 vende ranë dakord të eliminojnë gradualisht përbërësit më të dëmshëm për shëndetin.

Raporti liston një sërë problemesh të lidhura me ekspozimin ndaj plastikës, përfshirë sëmundje kardiovaskulare, kancer, diabet, probleme respiratore dhe një rritje të ndjeshmërisë ndaj infeksioneve. Megjithatë, nuk ka ende një vlerësim të saktë për barrën e përgjithshme të sëmundjeve.

Vetëm tre kimikate të zakonshme në prodhimin e plastikës shkaktojnë dëme me një kosto prej 1.5 trilionë dollarësh në vit në 38 vende, sipas një studimi të cituar nga raporti. Ndër to, BPA (bisphenol A) është lidhur me 237 mijë vdekje nga sëmundjet e zemrës dhe 194 mijë nga goditjet në tru.

Raporti përkon me lançimin e një mekanizmi të ri të pavarur monitorimi, Lancet Countdown on Health and Plastics, që do të ndjekë ndikimin e ndotjes nga plastika në shëndetin global.

Sipas Landrigan, qëllimi nuk është ndalimi i plotë i plastikës.

“Ka përdorime të domosdoshme të plastikës në shoqërinë moderne, por duhet të bëjmë dallim nga ato të panevojshme, si plastikat njëpërdorimshe, që përbëjnë 40% të prodhimit total”, tha ai.

Ndërsa administrata e Donald Trump vazhdon të kundërshtojë marrëveshjet mjedisore globale, Landrigan mbetet skeptik për ecurinë e bisedimeve në Gjenevë, por theksoi se “ne kemi ende detyrimin të vazhdojmë përpara”.

Edhe pse ka pak shpresë për të bindur vende si Rusia, Irani apo Arabia Saudite për të vendosur kufizime mbi prodhimin e plastikës së re, një fazë eliminimi për produktet dhe kimikatet më të rrezikshme ka mbështetje më të gjerë, përfshirë Brazilin, i cili ka qenë aktiv në shtytjen e procesit negociator.