Shkencëtarët kane zbuluar se ujërat e zeza të tualeteve të avionëve mund të bëhen një armë e fuqishme kundër pandemive të ardhshme dhe përhapjes së “supermikrobeve” rezistente ndaj antibiotikëve. Një ekip ndërkombëtar analizoi ujërat e mbledhura nga 44 fluturime ndërkombëtare që mbërritën në Australi nga nëntë vende të ndryshme, duke përdorur metoda të avancuara molekulare për të identifikuar gjenet rezistente ndaj antibiotikëve.
Në total, u zbuluan nëntë supermikrobe “me prioritet të lartë”, mes tyre Salmonella dhe Staphylococcus aureus, baktere që mund të shkaktojnë infeksione serioze dhe kërcënuese për jetën. Po ashtu, 17 mostra uji përmbanin një gjen që rrit rezistencën ndaj antibiotikëve “të fundit të mbrojtjes”. Kjo është alarmuese, pasi tregon se trajtimet ekzistuese mjekësore mund të bëhen të pafuqishme. Studimet parashikojnë që deri në vitin 2050 supermikrobet mund të shkaktojnë deri në 50 milionë vdekje, duke tejkaluar edhe kancerin.
Studimi tregoi gjithashtu se këto gjene rezistente mungonin në ujërat e brendshme të Australisë, duke sugjeruar se ato mbërrijnë përmes udhëtimeve ndërkombëtare. Fluturimet nga Azia, veçanërisht India, kishin përqendrime më të larta të gjeneve rezistente krahasuar me ato nga Evropa dhe Britania. Madje, u zbulua se ADN-ja e baktereve mbetej stabile deri në 24 orë edhe pas trajtimit me dezinfektues.
Sipas ekspertëve, udhëtimi ndërkombëtar është një nga motorët kryesorë të përhapjes së rezistencës antimikrobike. Monitorimi i ujërave të avionëve mund të shërbejë si një sistem paralajmërimi i hershëm, duke identifikuar gjurmët e rezistencës përpara se ato të vendosen në mjediset lokale. Meqenëse rezistenca ndaj antibiotikëve parashikohet të shkaktojë mbi 39 milionë vdekje në vit deri në 2050, nevoja për mjete inovative survejimi është urgjente. Siç theksojnë autorët, kjo metodë mund të plotësojë sistemet ekzistuese të shëndetit publik dhe të ndihmojë në parandalimin e kërcënimeve të reja globale.