Ajo që nisi me një sharrë elektrike po përfundon me një rënkim. Largimi i afërt i Elon Musk nga Uashingtoni mbyll para kohe kapitullin më të çuditshëm të presidencës së Donald Trump. Sipas matjeve të veta, Departamenti i Efiçencës Qeveritare i Musk, i quajtur Doge, ka dështuar. Larg arritjes së kursimeve të premtuara prej 2 trilionë dollarësh, Doge mund të përfundojë duke i kushtuar taksapaguesve. Ndërkohë, Musk i ka shkaktuar dëm Teslas, ku së shpejti do të kthehet. A kishte ndonjë metodë të fshehtë në çmendurinë e tij?
Dy përfitime të Musk mund të dallohen mes rrënojave. I pari është vlera psikologjike për të dhe Trumpin nga dëmtimi i armiqve të tyre. Klisheja për një divorc të shtrenjtë që ia vlen çdo qindarkë vlen këtu. Pasuria neto e Musk ka rënë me rreth 130 miliardë dollarë që nga inaugurimi i Trump. Megjithatë, ai ka futur frikën në burokraci, nga CIA te Departamenti i Arsimit. Anët negative të “luginës së lotëve” të Doge një forcë pune e demoralizuar dhe tituj negativë për kursime të paqena mund të paraqiten si fitore. Musk sulmoi “shtetin e thellë”. Me ndihmën e gjykatave, burokracia ka rezistuar, por është lënduar rëndë.
Përfitimi i dytë i Musk mund të marrë kohë për t’u regjistruar. “Kupola e Artë” e Trump, që synon të imitojë “Kupolën e Hekurt” të Izraelit për të gjithë SHBA-në, mund të jetë një nga shpenzimet më të mëdha të taksapaguesve që nga iniciativa e mbrojtjes strategjike e Ronald Reagan, e njohur si “Star Wars”. Në terma dollarësh, kupola e Trump mund të rivalizojë Projektin Apollo të NASA-s, që kushtoi 280 miliardë dollarë në vlerën e sotme. Meqenëse mburoja raketore do të mbështetej te një mori satelitësh, SpaceX i Musk do të jetë përfituesi kryesor. Kompania ka formuar një konsorcium për Kupolën e Artë me Palantir dhe Anduril, të drejtuara nga miqtë e tij të teknologjisë së lartë.
Ndikimi i qëndrueshëm i Musk në Uashington mund të jetë pra devijimi i një pjese të madhe të parave të taksapaguesve amerikanë drejt perandorisë së tij. Si dhuratë lamtumire, kjo do të ishte shumë e këndshme. Nëse kjo do të rriste sigurinë kombëtare të SHBA-së, k syda e kësaj është përgjegjësi e dikujt tjetër. Çështja nëse kontratat e Kupolës së Artë kualifikohen si shpërdorim, mashtrim apo abuzim është problem i dikujt tjetër. Kur vetëm një kompani mund të përmbushë funksionet kryesore të projektit, perspektiva për një proces tenderimi të hapur është e vogël.
Megjithatë, Musk e ka dëmtuar veten dhe nuk tregon shenja ndalimi. Ajo që ka nxitur bojkotet e Teslas në Evropë dhe pjesërisht në SHBA nuk është Doge, por shoqëria e papastër që Musk mban në platformën e tij X. Fushata satirike e reklamave në Londër që e quajti Teslan “Swasticar”, “nga zero në 1939 për tre sekonda” – erdhi si reagim ndaj mbështetjes së tij për të djathtën ekstreme, jo ndaj luftës së tij kundër burokracisë. Nëse nuk arrin të përmbajë egon e tij, marka e Teslas do të mbetet e ndotur. Fakti që Pam Bondi, Prokurorja e Përgjithshme e Trump, e quajti vandalizmin e salloneve të Teslas si terrorizëm tregon se Musk mbetet i pavetëdijshëm për problemin e imazhit të tij. Jo për herë të parë, psikologjia mund të jetë një parashikues më i mirë i sjelljes së administratës Trump sesa ideologjia.
Në mënyrën e tij, Trump po përpiqet të qetësojë krenarinë e lënduar të Musk. I ulur në një cep të mbledhjes së kabinetit javën e kaluar, Musk pranoi mirënjohjen e dhomës për sakrificën e tij. Në një intervistë lamtumire të butë për Fox me Lara Trump, nusen e presidentit, ai dukej i lënduar nga keqkuptimi i publikut ndaj tij. “Tani je këtu në Uashington DC krah Presidentit Trump për të shpëtuar vendin tonë,” tha ajo. “A të ka thënë dikush faleminderit?” Shumë njerëz i kishin falënderuar, tha Musk. Por të tjerë kishin interpretuar në mënyrë dashakeqe përshëndetjet e tij që dukeshin naziste si përshëndetje naziste: “Vërtet po provojnë çdo kënd për të më kapur.”
Me retrospektivë, është e qartë se pozita e Musk me Trump ra në fillim të prillit kur paratë e tij nuk arritën të ndikonin zgjedhjet për një kandidat konservator të Gjykatës së Lartë në Wisconsin. Edhe pse Musk shpenzoi 22 milionë dollarë në garën gjyqësore më të shtrenjtë ndonjëherë, gjyqtari tjetër fitoi, që do të thotë se në gjykatën më të lartë të këtij shteti kyç ka ende një shumicë liberale. Wisconsin ishte një test që Trump vendosi dhe Musk dështoi. Por testi i tij më i madh ishte nëse Doge mund të zbulonte korrupsion në shkallë të gjerë. Fakti që gjyqësori dhe Kongresi i kontrolluar nga republikanët nuk janë entuziastë për “murin e faturave” të Musk është një shenjë se sistemi amerikan mund të jetë duke rezistuar më mirë sesa pritej.
Sidoqoftë, Musk ka arritur në një udhëkryq. Platforma e tij e inteligjencës artificiale, Grok, tha këtë për kohën e tij në Uashington: “Eksperimenti i tij DOGE rezultoi në trazira operacionale, ngatërresa ligjore dhe rezultate të kufizuara, duke lënë në hije përfitimet modeste… më pak një triumf sesa një histori paralajmëruese.” Nëse ekziston një sharrë elektrike që kthehet si bumerang, Musk e shpiku atë







